Saranda Imeri: Për të bërë RMV-në vend më të mirë politik për gratë, fillimisht duhet të krijojmë kushte

Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Saranda Imerin, deputete në Kuvendin e RMV-së e cila vjen nga koalicioni VLEN.

Intervistoi Albina Ramadani

Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të papërfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?

Saranda Imeri: Mungesa e grave në proceset vendimmarrëse është një problem që rrjedh nga një sërë faktorësh shoqërorë, ekonomikë, kulturorë dhe politikë. Kjo është edhe arsyeja se pse kam vendos që të jem pjesë aktive e politikëbërjes në vend. Si në aspektin numerik, por edhe nga profili profesional, ne si gra luajmë rol të rëndësishëm në vendosjen e barazisë shoqërore dhe kontributit në sferën publike.

Portalb: Së fundmi vendi u bë me qeveri të re, por nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në të kaluarën përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë?

Saranda Imeri: Nisur nga partia politike në të cilën bëj pjesë, bazuar në të gjitha emërimet zyrtare, Lëvizja Demokratike ka përfaqësim prej 100% të grave në Kuvendin e RMV dhe 50% të përfaqësimit të grave në ekzekutiv. Uroj që shembulli ynë të shërbejë si praktikë pozitive edhe për subjektet tjera politike në vend.

Portalb: Pse gratë në vendin tonë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit” dhe posteve në vendimmarrje?

Saranda Imeri: Mund të krijojë supozime mbi heshtjen e grave në proceset vendimmarrëse, mirëpo kjo nuk e përcakton pasqyrën e saktë se cila është arsyeja e heshtjes. Mund të shpalos qasjet se si duhet vepruar që të thyhet heshtja dhe mos të kemi situata të këtilla. Definitivisht është e nevojshme që të ekzistoj praktikë komunikimi dhe të ketë ndarje kompetencash mes anëtarëve të partisë. Kur paraprakisht ekziston ndarja e përgjegjësive, pavarësisht gjinisë të gjithë janë të barabartë në vendimmarrje.

Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?

Saranda Imeri: Listat e hapura janë instrument ku qytetarët zgjedhin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend, mirëpo kjo nuk nënkupton që me automatizëm rritet numri i grave në Kuvend. Në Maqedoninë e Veriut kemi kuotë obligative ku partitë politike janë të detyruar që në listë të kenë të përfshirë së paku 1/3 e grave në listë për deputet.

Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?

Saranda Imeri: Për të bërë shtetin tonë një vend më të mirë politik për gratë, është e nevojshme të krijojmë kushte ku do të promovojmë barazi gjinore dhe të mbështesim gratë në përfshirjen dhe përparimin e tyre në politikë. Forume dhe konferenca të ndryshme për rrjetëzim mes grave, ku do t’i shpalosin problematikat mes vete por edhe përvojat e tyre.

Portalb: Cilat janë sfidat me të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

 Saranda Imeri: Sfidat kyçe me të cilat ballafaqohemi ne si gra janë pabarazia ekonomike, paragjykimet shoqërore, bindjet kulturore por edhe klima politike.

Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?

Saranda Imeri: Më shumë se gjysmën e popullsisë në botë e përbëjnë gratë, njashtu edhe në RMV në bazë të regjistrimit të popullsisë mbi 50% të popullatës jemi gra. Kur gratë marrin pjesë në politikë, ato sjellin me vete perspektiva dhe përvoja të ndryshme që pasurojnë diskutimet dhe vendimet politike. Ky diversitet është thelbësor për krijimin e politikave që i shërbejnë të gjithë shoqërisë.

Ditëve në vijim Portalb.mk do të publikojë intervistat edhe me deputetet tjera shqiptare në Kuvendin e RMV-së.