Rusia nuk mund t’i fsheh më pasojat e sanksioneve, vlera e rublës ka rënë për 20% dhe inflacioni në shtet po rritet

Vladimir Putin javën e kaluar iu drejtua zyrtarëve më të mirë ekonomik me fjalët se ekonomia e Rusisë po rritet përsëri dhe pagat gjithashtu, mirëpo, në mes të gushtit vlera e rublës ka pësuar 20% rënie. Këtë herë Putini pranoi se rreziku i inflacionit po rritet, por deklaroi se kolegëve e tij në qeveri dhe bankën qëndrore u ka kërkuar ta mbajnë situatën nën kontroll, shkruan Washington Post.

Inflacioni në Bankën Qëndrore të Rusisë parashihet të arrijë 6.5% deri në fund të 2023, por ekonomistët thonë se rënia e vlerës së rublës do ta përshpejtojë këtë dhe deri në fund të vitit me shumë gjasa do të ketë inflacion dyshifror.

“Rusët e kanë izoluar veten nga zhvillimet politike, por inflacioni është diçka prej të cilës nuk mund të izolohen sepse duhet të paguajnë“, thotë Janis Kluge, ekonomist në Institutin Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. “Është një mënyrë me të cilën politika ndërhyn në jetët e tyre dhe kjo është pjesa që ngre shqetësim për udhëheqjen në Rusi, sepse asnjë propagandë nuk do ta largojë këtë.”

Zyrtarët rusë po përballen me pasojat ekonomike transformuese të luftës së Putinit kundër Ukrainës, thonë analistët. Qeveria ka dyfishuar objektivin e saj të shpenzimeve të luftës për vitin 2023 në më shumë se 100 miliardë dollarë, duke pompuar më shumë se 60 miliardë dollarë fonde buxhetore në industrinë e mbrojtjes, sipas shifrave të qeverisë të zbuluara këtë muaj nga Reuters.

Pavarësisht nga ndikimi i kufizimeve të eksportit të naftës, administrata Biden po i reziston lutjeve të qeverisë ukrainase për të ulur kufirin e çmimit të naftës nga 60 në 30 dollarë për fuçi, sepse ka frikë se kjo mund të shtyjë Rusinë të ulë prodhimin e naftës dhe të shkaktojë rritje të çmimit të gazit, duke shkundur ekonominë globale mu tani kur Shtetet e Bashkuara shkojnë drejt zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Oleg Ustenko, një këshilltar ekonomik i presidentit të Ukrainës, Zelensky, tha se është e domosdoshme që perëndimi të ndërmarrë veprime kolektive. “Ne kemi nevojë për presion të konsiderueshëm mbi kufirin e çmimit, ose rusët do të kenë para të mjaftueshme në dorë për ta vazhduar këtë luftë” tha Ustenko.

Një studim i kryer nga Instituti Gaidar në Moskë zbuloi se 42% e ndërmarrjeve të anketuara ankoheshin për mungesë punëtorësh në korrik. Në shenjë dëshpërimi, Putin javën e kaluar dekretoi që kufizimet për punësimin e adoleshentëve deri në moshën 14 vjeç duhet të hiqen, për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, sipas një liste të urdhrave presidencialë të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit.