Rruga ndërmjet Tetovës dhe Prizrenit, Kosova ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve

Ministria për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë në Kosovë ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve në dy pjesë të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën, transmeton Portalb.mk.

“Janë nënshkruar kontratat për realizimin e Rrugës Prizren-Tetovë, me gjatësi prej 20.350km, përkitazi ndërtimin e Rrugës Prizren-Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), për Lot 1 në vlerë prej 7,999,999.00 euro, si dhe Lot 3 në vlerë prej 8,346,804.38 euro”, njoftoi ministri Liburn Aliu.

Aliu theksoi që Loti 2 është rikthyer për vlerësim.

Ministri përkujtoi rëndësinë e kësaj rruge, duke lidhur autostradën “Ibrahim Rugova” në Kosovë dhe autostradën “Nënë Tereza” në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, më 23 maj në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar të këtij viti, vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova pajtohen që financimi i projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë – Prizren të jetë në vlerë proporcionale sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë dhe pas tunelit do të financohet nga pala përkatëse.

BDI e premtoi në 4 procese zgjedhore rrugën Tetovë-Prizren

Portalb.mk në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet.

Rruga në fjalë do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.