Rruga e shkurtër e një lajmi të rrejshëm – rruga e gjatë e një kaosi shoqëror

Askush nuk tha se rruga më e gjatë deri te një lajm i saktë është e lehtë. Por kjo i dallon gazetarët dhe mediat nga ajo që është e publikuar në rrjetet sociale. Para se të klikohet “publiko”, të ndajmë 2-3 sekonda dhe të pyesim veten “çfarë do të arrij me këtë, a lëndoj dikë dhe a ka ndonjë interes publik?” Këto pyetje mund të na shpëtojnë nga shumë informata helmuese dhe të pasakta me të cilat ballafaqohemi rregullisht, shkruan Meta.mk.

Publish (“Publiko”) është butoni që është më i lehti për tu shtypur. Të shtypet është lehtë, por a janë njëlloj të lehta edhe pasojat që mund t’i sjellë ajo? Mjaftojnë pesë fjalë që ta tërheqin publikun dhe një tekst prej dhjetëra rreshtash që ta shokojnë publikun ose të krijojnë një vërshim ndjenjash, pa marrë parasysh nëse janë ato pozitive ose negative, që produkti për disa minuta të përhapet thuajse në çdo shtëpi, në profilet e gjithkujt nëpër rrjete sociale. Për median kjo është sikur ka fituar llotari, klikimet shtohen në proporcion me mundësinë për marrjen e reklamave. Nga ana tjetër, për lexuesit parashikimet nuk janë nga më optimistet.

Që e gjithë kjo të jetë edhe më zhgënjyese shumë hulumtime tregojnë se për qytetarët burimi më i shpeshtë i informacioneve janë rrjetet sociale, ndërsa rreth 70 përqind e lexojnë vetëm titullin dhe eventualisht fjalinë e parë të tekstit. Thjesht, sikur me qenë në natyrën e njeriut që në bazë të titullit në trurin e tyre vetë ta ndërtojnë më tej të gjithë tregimin pa e lexuar deri në fund. Edhe më zhgënjyese është ajo që në këtë “ndihmojnë” shumë edhe mediat, me senzacionalizma dhe shumë shpesh me tituj jo të saktë. Atëherë paramendoni se çfarë kaosi ndodh në kokat e lexuesve të ballafaquar me tituj të ndryshëm për temën e njëjtë.

“Jozyrtarisht – Vanja e zhdukur është gjetur” dhe “Vanja ende nuk është gjetur” ishin dy titujt që dje dominonin nëpër agregatorët e lajmeve. Dy tituj plotësisht të kundërt për një ngjarje jashtëzakonisht të ndjeshme – një vajzë që u nis për në shkollë, e që rrugës i humbasin gjurmët.

Që të jetë situata edhe më tragjike e gjithë kjo u ndez vetëm pas një komenti në rrjetin social Facebook, në të cilin një profil me emrin “Xhamia në Podujevë” shkruajti se vajza ndodhet në xhaminë e tyre në afërsi të Prishtinës dhe se është gjallë dhe shëndoshë.

Çfarë bëri një media joprofesionale? Në bazë të një komenti publikoi tekst me titull se vajza është gjetur. Tekstin e morën edhe dhjetëra media të tjera dhe informata u përhap me shpejtësinë e dritës.

Çfarë bënë mediat profesionale? U lajmëruan deri te të gjitha xhamitë në Podujevë dhe biseduan me hoxhallarët. Të gjithë thanë se te ato nuk ka vajzë dhe se për herë të parë dëgjojnë një gjë të tillë. Nëpërmjet përdorimit të mjeteve për kërkim të fotografive e kontrolluan fotografinë e profilit të njeriut që shkruajti koment se vajza është gjetur. Mjeti ka treguar se bëhet fjalë për fotografi të vjedhur nga një profil tjetër i një imami nga Shqipëria i cili prej para disa javësh ka denoncuar se fotografia e tij në Facebook është keqpërdorur. Lajmi nuk u publikua, sepse lajm nuk kishte – vajza ende nuk është gjetur.

Klikimi “publiko” në rastin e parë ishte i shpejtë. Klikim “publiko” në rastin e dytë nuk kishte. Por, çfarë është më e vlefshme? Të fitohet audiencë në bazë të një lajmi të rrejshëm dhe të sillet në lajthim të plotë i gjithë publiku, e posaçërisht familja e vajzës së zhdukur, apo të verifikohet rasti me sa më shumë burime.

Jo rastësisht neni 1 i Kodit Etik të Gazetarëve është neni i parë, sepse mbi të bie e gjithë barra me të cilën duhet të merren gazetarët – “Verifikimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarisë, prandaj gazetari është i detyruar që ta verifikojë informatën nga sa më shumë burime të jetë e mundur, e më së paku DY burime me asnjë lidhje ndërmjet veti”.

Më tej, neni 7: Gazetari nuk guxon që për shkak të atraktivitetit të tekstit/kronikës të nxisë frikëra të pabaza ose shpresa te bashkëfolësit ose të manipulojë me emocionet e tyre. Gazetari është i detyruar që ta respektojë dhimbjen dhe zinë personale. Kur njoftojnë për ngjarje që kanë shkaktuar tragjedi personale, dhimbje dhe tronditje – gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët duhet të tregojnë dhembshuri, diskrecion dhe konsideratë.

Rasti me vajzën e zhdukur, 14 vjeçaren Vanja, tregoi dy tendenca. Së pari, se rrjetet sociale në vend të indicjes për të shkruar storje bëhen burimet e vetme të storjeve. Tendenca e dytë janë lajmet e rrejshme dhe dezinformatat që e mbulojnë si vërshim hapësirën mediatike.

Edhe përkundër asaj se teksti jo i vërtetë më pas u ndryshua, kaosi tashmë ishte krijuar. Kur hidhet një koment në Facebook, ai shkakton panik. Mirëpo, kur i njëjti paraqitet në ueb-portal te lexuesit rritet siguria se ky lajm mund të jetë i vërtetë. E me sigurinë rritet edhe viraliteti. Mirëpo, a na duhet një viralitet i këtillë?

Askush nuk tha se rruga më e gjatë deri te një lajm i saktë është e lehtë. Por kjo i dallon gazetarët dhe mediat nga ajo që është e publikuar në rrjetet sociale. Para se të klikohet “publiko”, të ndajmë 2-3 sekonda dhe të pyesim veten “çfarë do të arrij me këtë, a lëndoj dikë dhe a ka ndonjë interes publik”? Këto pyetje mund të na shpëtojnë nga shumë informata helmuese me të cilat ballafaqohemi rregullisht dhe kundër të cilave luftojmë me mish e me shpirt.

Secili nga ne bart përgjegjësi. Dhe secili nga ne vendos se çdo mendim apo spekulim i joni do të bëhet publik me mundësinë që na e ofron interneti, por çdo gazetar më pas ka një sërë obligimesh, e mbi të gjithë të kujtojë nenin 1.