“Oj Kosovë oj nëna ime”, Kimi nga Kosova spikati në American Idol me zërin dhe historinë e tij

Kimi, 25 vjeçari nga Kosova ka kaluar fazën e parë të garës së këndimit në American Idol. Ai gjatë paraqitjes së tij emocionoi jurinë me rrëfimin prekës dhe rrugëtimin për të realizuar ëndrrën e tij dhe ëndrrën e parealizuar të nënës së tij për muzikën, shkruan Portalb.mk.

Kimi kishte shkuar në SHBA dhe prej gjashtë viteve nuk e kishte parë familjen e tij, siç tha vetëm për të qenë në American Idol.

Ai para jurisë të përbërë nga Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan tregoi se në atë skenë ishte për të realizuar ëndrrën e nënës së tij, e cila siç sqaroi ai kur ishte e re kishte zë shumë të bukur, por sfidat e jetës ja pamundësuan rrugëtimin në këtë fushë.

Kimi me lot në sy rrëfeu për sfidat në të cilat pati kaluar familja e tij kur nëna e tij ishte shtatzënë me të, pasi ishte koha e luftës në Kosovë dhe periudhë e vështirë. Ai tregoi se nëna e tij, dy vjet pasi kishe lindur ai ishte diagnostikuar me Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD).

“Çdo kush më thotë se këndoj si ajo. Gjëja që më dhemb më shumë është se unë nuk pata shansin të dëgjoj zërin e saj, asnjëherë…Kur unë i këndoj asaj, ajo është shumë e lumtur, e sheh veten e saj në mua. Kjo është përse po e bëj të gjithë këtë…Dua ta bëj për nënën time, sepse ajo nuk pati mundësi ta bëjë, do ta bëj për ne të dy”, tha Kimi.

Pasi këndoi këngën Heal nga Tom Odell, ai në audicion tha se nëna e tij nuk ishte e njoftuar se ai po merrte pjesë në American Idol. Ndërsa duke qenë aty pa marrë vendimin e jurisë, e telefonoi me video thirrje dhe e njoftoi se ku ndodhej.

Madje, përgjatë thirrjes juria i kërkoi që të këndonte një këngë në shqip të cilën Kimi ia këndonte nënës së tij.

Kimi këndoi këngën Oj Kosovë oj nëna ime, duke përshkruar luftën në Kosovë.

“Shumë bukur këndove, të lumtë goja”, i tha nëna Kimit përmes telefonit.

Juria njëzëri votoi që Kim të vazhdojë rrugëtimin në fazat tjera të garës.

Kujtojmë që në American Idol në të kaluarën kanë spikatur edhe talente të tjerë nga Kosova si Lindita Halimi dhe Melinda Ademi.