Robert F. Kennedy braktisi garën për president, shpreh mbështetje për Donald Trump-in

Kandidati i pavarur për president të SHBA-së, Robert F. Kennedy, njoftoi se po i jep fund fushatës së tij të gjatë për garën presidenciale 2024, duke premtuar mbështetjen e tij për kandidatin republikan Donald Trump, transmeton Anadolu.

“Unë jap mbështetjen për Donald Trump-in”, tha Kennedy në një fjalim drejtuar kombit nga Phoenix, Arizona, duke shtuar:

“Unë nuk besoj më se kam një rrugë realiste drejt fitores zgjedhore përballë këtij censurimi të pamëshirshëm, sistematik dhe kontrollit të medias”.

“Unë nuk mund t’i kërkoj me ndërgjegje të pastër stafit dhe vullnetarëve të mi që të vazhdojnë me angazhimin e tyre ose t’u kërkoj donatorëve të mi të vazhdojnë të japin, kur nuk mund t’u them sinqerisht se kam një rrugë të vërtetë për në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh Kennedy.

Ai shtoi se në rreth 10 shtete ku pritet të ketë garë vendimtare, ai do të heqë emrin e tij nga fleta e votimit, ndërsa në shtetet e tjera ai do të mbetet në fletat e votimit.

Kennedy tha se tre çështje kyçe e shtynë atë të largohej nga Partia Demokratike dhe të mbështeste Presidentin Trump-in: Liria e fjalës, lufta në Ukrainë dhe ajo që ai e përshkroi si “lufta ndaj fëmijëve tanë”.

Njoftimi erdhi pasi kandidatja për zv/presidente në kampin e kandidatit Kennedy, Nicole Shanahan, të martën tha se ajo “mbështet plotësisht” një rol për Kennedy-n në një administratë të ardhshme të Trump-it.

Kennedy vjen nga dinastia e famshme politike me të njëjtin emër, por familja e tij hodhi poshtë fushatën e tij politike, e shqetësuar nga pikëpamjet e tij të skajshme, siç janë thirrjet kundër vaksinimit.

Fushata e tij u dëmtua ndjeshëm nga storje të çuditshme personale nga vetë Kennedy, siç është ajo se një parazit i kishte ngrënë një pjesë të trurit dhe se ai kishte lënë një ari të ngordhur në Central Park si “pjesë e një shakaje”.

Është e paqartë nëse mbështetësit e Kennedy-t kalojnë besnikërinë e tyre ndaj Trump-it dhe nëse kjo do të ndikojnë ndjeshëm në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.