“Roaming si në shtëpi” nga viti i ardhshëm, Andonovski: jemi të gatshëm, presim ta nënshkruajmë marrëveshjen me BE-në

Në fillim të vitit të ardhshëm pritet të nisë sistemi “Roaming si në shtëpi”, paralajmëroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në brifingun e sotëm me gazetarët, njofton Portalb.mk.

Andonovski shtoi se të gjithë përgatitjet nga ana jonë kanë përfunduar dhe pritet nënshkrimi i marrëveshjes me Komisioni Evropian për këtë iniciativë. Potencoi se shpenzimet për komunikimet roaming në vendet e Bashkimit Evropian do të jenë të njëjta me ato që qytetarët paguajnë në vend, ndërsa e njëjta do të vlejë edhe për të huajt që do të përdorin shërbimet roaming kur të vijnë tek ne.

“Sa u përket afateve, ato nuk varen nga ne. Pozitive është se negociojmë secili shtet veçmas, që do të thotë se sa më shpejt t’i përmbushim kushtet dhe sa më shpejt të ecë procesi, aq më shpejt do ta përfundojmë. Pres që gjatë këtij viti të përfundojnë negociatat dhe të përcaktojmë tekstin e marrëveshjes, ajo të kalojë në mbledhje të Qeverisë, të ratifikohet në Kuvend dhe të jemi të gatshëm që të parët ta fillojmë këtë proces nga Ballkani Perëndimor. Shpresa ime e sinqertë është që kjo të jetë në janar të vitit 2027”, theksoi Andonovski.

Ministri Andonovski prezantoi edhe sistemin “Licenca SMART”, i cili paraqet një sistem plotësisht elektronik për lëshimin, verifikimin dhe ndjekjen publike të licencave përmes një regjistri elektronik dhe kodi kju-ar (QR).

“Në vend të një dokumenti që bartet, fotokopjohet, dërgohet dhe vështirë verifikohet, po vendosim një model ku ekziston një regjistrim zyrtar elektronik, i lidhur me kod QR dhe me një regjistër elektronik që tregon gjendjen e saktë aktuale. Me një skanim do të mund të kontrollohet statusi zyrtar i licencës, nëse është e vlefshme, e skaduar, e pezulluar, e shfuqizuar apo në procedurë”, deklaroi Andonovski.

Andonovski shtoi se ky model, i cili do ta lehtësojë verifikimin e kompanive, është në fazë testimi, e duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji, pas çka sistemi do të vihet zyrtarisht në funksion.

BE më 3 qershor të këtij viti miratoi fillimin e negociatave për heqjen e roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor