RMV, tre nga të miturit që u sollën pa ndjenja në Toksikologji do të lëshohen në shtëpi, një do të mbetet për hetime të mëtejshme

Tre nga katër të miturit që u sollën të premten në Klinikën e Toksikologjisë do të lirohen për mjekim shtëpiak, ndërsa njëri do të mbetet për hetime të mëtejshme, transmeton Portalb.mk.

“Te tre të miturit parametrat janë të kënaqshëm dhe do të lirohen. Njëri nga pacientët do të mbetet për hetime të mëtutjeshme”, tha sot pasdite për MIA, drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev.

Katër të miturit, dy prej të cilëve pa ndjenja, janë gjetur në shtëpinë e një 40-vjeçari dhe janë dërguar në Klinikën e Toksikologjisë. Pas analizave u konstatua prania e substancave psikoaktive.

Prokuroria Themelore Publike – Shkup të shtunën ka njoftuar se është lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 40-vjeçarit, i cili dyshohet për vepra të rënda penale kundër shëndetit të njerëzve. Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka konsumuar alkool me fëmijët dhe gjatë mbrëmjes ka nxjerrë ilaçe, të cilat i ka përdorur për tu larguar nga varësia ndaj alkoolit dhe ua ka ofruar ta pinë për humor më të mirë. Ai i detyroi të pinin një sasi të madhe të ilaçit në kombinim me alkoolin, megjithëse ishte i vetëdijshëm për efektin e dëmshëm, dhe i la në një gjendje të rënduar serioze shëndetësore.

Nga bisedat me të miturit u konstatua se ata kanë mbërritur në shtëpinë e 40-vjeçarit D.Gj gjatë mbrëmjes së së enjtes, në të cilën nganjëherë qëndronte njëri prej të miturve.

40-vjeçari është ndaluar dhe ka konfirmuar deklarimet e të miturve. Ai ka qenë në marrëdhënie miqësore me një të afërm të një prej të miturve.

“Gjatë mbrëmjes, të miturit kanë konsumuar një sasi të madhe pijesh alkoolike, dhe në një moment, nga D.Gj. katër të miturve iu ofrua dhe u mundësua të konsumonin disa medikamente. Me këtë, të miturit janë sjellë në gjendje gjysmë të vetëdijshme, me sjellje të pakontrolluar, me ç’rast kanë thyer një pjesë të inventarit në dhomën e ndenjjes ku kanë qenë dhe kanë pësuar lëndime”, njofton SPB Shkup.