RMV, trajnim, praktikë e paguar dhe mundësi për vizitë studimore në SHBA – kanë mbetur edhe 4 ditë për të aplikuar

Kanë mbetur edhe katër ditë për të gjithë studentët e rinj të interesuar, gazetarët, anëtarët e sektorit civil, aktivistët apo entuziastët të aplikojnë në seminarin treditor mbi Gazetarinë e bazuar në të dhëna dhe vizualizimin e të dhënave, transmeton Portalb.mk.

Trajnues të kësaj punëtorie do të jenë Derek Willis, ligjërues në Shkollën e Gazetarisë “Philip Merrill” në Universitetin e Maryland-it, si dhe Goran Rizaov, drejtues i programit Media për Demokraci në Metamorphosis dhe Bojan Blazhevski, kryeredaktor i agjencisë së lajmeve Meta.

Punëtoria do të mbahet në Shkup nga 14 deri më 16 dhjetor 2023. Një pjesë e pjesëmarrësve do të kenë mundësinë të jenë praktikantë në mediat e Fondacionit Metamorfosis, Portalb, Meta dhe Vërtetmatësi. Një pjesë e praktikantëve do të kenë mundësinë të jenë pjesë e një vizite studimore në SHBA në korrik 2024.

Ky është i pari nga një seri prej tre punëtorish që do të mbahen nga dhjetori i këtij viti deri në maj të vitit të ardhshëm. Në të tre punëtoritë, trajnerë do të jenë gazetarë eminentë nga SHBA, së bashku me gazetarë nga mediat e Fondacionit Metamorfozis.

Ngjarja është pjesë e projektit “Gazetari për gjeneratën e re” të cilin Fondacioni Metamorfozis po e zbaton në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ), dhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shkup, në periudhën nga shtatori 2023 deri në korrik 2024.

Aplikimi për seminarin e parë treditor është tashmë i hapur dhe afati i aplikimit është deri më 30 nëntor. Punëtoria do të mbahet në periudhën prej 14 deri më 16 dhjetor në Shkup dhe mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë e moshës nga 18 deri në 29 vjeçare.

Duke qenë se ky është vazhdimësi e projektit paraprak të ngjashëm, prioritet do të kenë ata që nuk kanë marrë pjesë në trajnimet paraprake vitin e kaluar.

Ndryshe, në kuadër të projektit, ICFJ dhe Fondacioni Metamorfozis do të organizojnë edhe dy punëtori të tjera treditore – “Verifikimi i fakteve dhe luftimi i dezinformimit” (në mars 2024), si dhe “Para-banking – ekspozimi parandalues ​​i dezinformatave” (maj, 2024).

Gjashtë pjesëmarrësit më të mirë të punëtorive do të kenë mundësinë për praktikë një mujore në një nga tre organizatat mediatike të Fondacionit Metamorfosis, gjatë verës së ardhshme. Tre më të mirët, nga ana tjetër, do të shkojnë në një vizitë studimore njëjavore në SHBA me ICFJ në Uashington, të shoqëruar nga një përfaqësues i Fondacionit Metamorphosis.