RMV, shtatë foshnja të tjera janë hospitalizuar për shkak të kollës së madhe, për një javë numri është rritur për 67%

Shtatëdhjetë e dy raste të reja me kollë të mirë janë regjistruar nga data 15 deri më 21 mars, me 67 rritje krahasuar me shtatëditorin e kaluar (43), thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Deri më 21 mars në vend janë regjistruar 287 raste me kollë të mirë., transmeton Portalb.mk.

Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, shumica e rasteve në kuadër të epidemisë janë raportuar në Shkup (58), ndërsa raste janë raportuar edhe në Kumanovë (7), Manastir (4), Tetovë (1), Dibër (1) dhe Strugë (1). Mosha e pacientëve varion nga 0 deri në 44 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha e fëmijëve nga 10-14 vjeç (25). Nga 72 rastet e reja, 9 raste (12.5%) janë hospitalizuar (7 fëmijë nën moshën 1 vjeç dhe nga një person nga grupmosha 15-19 vjeç dhe 20-29 vjeç).

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve 287, numri më i madh i të sëmurëve jetojnë në Shkup – 247 (86,1%) në pesëmbëdhjetë komuna të ndryshme, 12 persona jetojnë në Kumanovë, 11 persona janë nga Tetova, 6 në Manastir, 3 në Gostivar, 2 në Dibër dhe Strugë dhe nga një rast është regjistruar në Strumicë, Kriva Pallankë, Kavadar dhe Koçan.

Pacientët janë të moshës nga 1 muaj deri në 78 vjeç (mesatarja 11.9 vjeç). Numri më i madh i pacientëve i përkasin grupmoshës 10-14 vjeç (27.5%), pasuar nga fëmijët nën 4 vjeç (25.4%), pra 41 raste (14.3%) i përkasin grupmoshës nën 1 vjeç, ndërsa 32 (11.1%) janë fëmijë të moshës 1 deri në 4 vjeç.

Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara (287), 157 raste (ose 54.7%) janë të pa vaksinuar, të pavaksinuar plotësisht sipas moshës ose nuk ka dëshmi të vaksinimit. Nga rastet që janë vaksinuar plotësisht (n=107), koha mesatare e kaluar nga doza e fundit e vaksinës deri në sëmundje ka qenë 12.6 vjet.

Nga të sëmurët, 44 persona (15.3%) janë hospitalizuar edhe atë 38 prej tyre (86.1%) ishin nën moshën 4 vjeç.

Sa i përket vaksinimit për Shkupin, numri i përgjithshëm i dozave të vaksinës që përmban një komponent kundër kollës së mirë, të dhëna si vaksinim primar (doza e parë, e dytë, e tretë) ose rivaksinim (rivaksinimi i parë, i dytë) në territorin e Shkupit në periudhën nga 18 janari deri më 21 mars është 18,138. Në vend, pa përfshirë Shkupin, janë vaksinuar 14.483 fëmijë.