RMV, secili mësues duhet për tre vite të kalojë 60 orë trajnime

Secili mësimdhënës duhet që për tre vite të kalojë 60 orë trajnime, nga të cilat 40 orë të jenë trajnime nga programet e akredituara, ndërkaq deri tani janë trajnuar mbi 14 mijë mësimdhënës dhe 800 bashkëpunëtor profesional. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftojnë se po punohet intensivisht në rritjen e motivimit të mësimdhënësve përmes rrogave më të larta, ndërsa faza e dytë ka filluar të realizohet në muajin qershor dhe do të zgjat deri në fund të muajit gusht, ku është planifikuar të marrin pjesë 17.200 mësimdhënës dhe 1.100 bashkëpunëtorë profesional, transmeton Portalb.mk.    

“Po punohet intensivisht në rritjen e motivimit të mësimdhënësve përmes rrogave më të larta, kushte më të mira për punë dhe trajnime permanente si dhe mundësi për zhvillim profesional.

Për vitin shkollor 2022-2023, Byroja për zhvillim të arsimit me përkrahje nga MASH dhe Banka Botërore, akreditoi 18 programe për trajnim të mësimdhënësve dhe 4 programe për trajnim të bashkëpunëtorëve profesional. Katalogu me programet e akredituara ishte i publikuar në ueb faqen e MASH dhe BZHA dhe mësimdhënësit patën mundësinë të zgjedhin trajnim në bazë të planit të tyre për zhvillim profesional”, thonë nga MASH.

Prej atje shtojnë që, secili mësimdhënës për çdo çështje të paqartë, sfidë në mësimdhënie gjatë implementimit të njohurive të fituara nga trajnimi, mundet t’u drejtohet trajnuesve, të parashtrojë pyetje dhe të shkëmbejë përvoja me kolegët përmes platformave të cilat i sigurojnë trajnuesit.

Organizimi i trajnimeve në kontinuitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse është mënyra e vetme që të përforcohen kompetencat profesionale të mësimdhënësve si hallkë kyqe në procesin edukativo-arsimor nga e cila më së shumti varet kualiteti i gjeneratave të cilat po krijohen.

“Kjo është mënyra e vetme që të përforcohen kompetencat profesionale të mësimdhënësve si hallkë kyçe në procesin edukativo-arsimor nga e cila më së shumti varet kualiteti i gjeneratave të cilat po krijohen”, shtojnë nga MASH.

Ndryshe, më 14 korrik u njoftua se paga e shtatorit për mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesional do të jetë 10 përqind më e lartë nga shtatori. Kjo do të thotë se nëse paga fillestare e një mësuesi në arsimin fillor, e cila tani është saktësisht 29.258 denarë, nga shtatori do të jetë 32.183 denarë. Pagat e tjera do të jenë më të larta, në varësi të përvojës së mësuesve, pra nga shkalla e kompleksitetit.

Fryt i negociatave mes sindikatave dhe Qeverisë është edhe regresi i pushimit vjetor, të cilën për herë të parë pas 24 vitesh do ta marrin punonjësit e arsimit. Ai do të jetë 10.000 denarë. Të gjithë të punësuarit në administratë do të marrin pushim vjetor prej 10 mijë denarë, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jetë së paku 30 për qind nga paga mesatare.