RMV, rritje e njëanshmërisë politike dhe sfidave rregullatore gjatë raportimin në zgjedhje

Shtatëdhjetë përqind e qytetarëve janë të informuar përmes portaleve të internetit, ndërsa cilësia e përmbajtjes së publikuar për zgjedhjet shpeshherë është mjaft e dobët, tregon raporti preliminar nga monitorimi i portaleve online në Maqedoninë e Veriut gjatë zgjedhjeve parlamentare, i përgatitur nga Fondacioni “Metamorfozis”, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit preliminar, mediat online shpesh nuk i përmbushin standardet profesionale të gazetarisë dhe dëshira për të dhënë lajme shpejt rezulton në raportim me cilësi të dobët, me njëanshmëri të mediave dhe mungesën e objektivitetit duke u bërë probleme gjithnjë e më të zakonshme.

Për më tepër, interesat politike dhe të biznesit ndikojnë në përmbajtjen mediatike.

“Media është gjithashtu e kontrolluar në masë të madhe nga faktorë të jashtëm për shkak të situatës së paqëndrueshme ekonomike dhe lidhjeve të ngushta mes politikanëve dhe drejtuesve të biznesit”, thekson hulumtimi. Shpesh ka mungesë të transparencës ekonomike dhe objektivitetit të medias.

KSHZ-ja këtë vit ka llogaritur një shumë rekord të parave të destinuara për reklama politike të paguara, ndërsa nga llogaritjet rezultoi se për zgjedhjet e dyfishta nga buxheti i mediave do të ndahen 10.6 milionë euro. Deri më sot, një numër i madh i portaleve online nuk kanë dorëzuar raporte financiare.

Mediat radiodifuzive në Maqedoninë e Veriut rregullohen me Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, Ligjin për media dhe Ligjin për komunikime elektronike. Megjithatë, këto ligje nuk zbatohen për mediat online, duke lënë një boshllëk rregullator derisa platformat digjitale bëhen më me ndikim.

Ndryshe, edhe hulumtimi i Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve theksoi se nëse reklamat politike me pagesë nuk shfuqizohen, duhet që Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të miratojnë akte nënligjore për të rregulluar më mirë menaxhimin e Regjistrit për transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portale) si dhe për të rregulluar më mirë procedurën për pagesën e mjeteve financiare.

Gjithashtu, hulumtimi nënvizoi se duhet të vendoset së paku kontroll minimal mbi mediat elektronike (portalet) gjatë regjistrimit të tyre në Regjistrin e KSHZ-së.

“Kodi Zgjedhor është një nga ato në të cilat Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i jepet e drejta diskrecionale për të paguar paratë buxhetore për reklama politike të paguara pa kritere të qarta ligjore, vetëm në bazë të një raporti nga përdoruesi dhe KSHZ paguan shpenzimet e reklamave politike të publikuara me pagesë në bazë të faturës së dorëzuar nga transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet e internetit) brenda 30 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare”, thuhet në raport.

Nga QMN thonë se praktika tregon se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk zbaton asnjë procedurë dhe nuk merr vendime veçanërisht të arsyetuara për pranimin dhe pagesën e shpenzimeve të reklamave politike të publikuara me pagesë, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative.

Fushatat e partive politike i paguajnë qytetarët, gjegjësisht financohen me paratë e buxhetit shtetëror. Modeli i këtillë i reklamimit të paguar politik i favorizon katër partitë më të mëdha, gjegjësisht ata marrin më shumë para.

Ligji parashikon nga 45% nga shuma e fituar të marrin dy partitë në pushtet dhe dy partitë më të mëdha opozitare, 7% shkojnë te partitë që në zgjedhjet paraprake kanë fituar ndonjë deputet, megjithatë nuk kanë mjaftueshëm përfaqësues për grup të deputetëve, ndërkaq vetëm 3% parashihen për partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.