RMV pret para evropiane për të ndërtuar hekurudhë deri tek aeroporti i Shkupit
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, shërbimet e aeroportit të Shkupit vitin e kaluar i kanë shfrytëzuar 2.134.988 udhëtarë. Transporti ajror në aeroportin e Shkupit po rimëkëmbet shpejt dhe që këtë vit mund të tejkalohet rekordi historik nga viti 2019 kur u transportuan 2.35 milionë udhëtarë, shkruan Meta.mk.
Do pritet vendimi i Bashkimit Evropian për sigurimin e mjeteve për ndërtimin e hekurudhës së premtuar deri në aeroportin e Shkupit dhe për vendosjen e linjës hekurudhore nga Qendra e Transportit deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk sqaruan se për këtë projekt do të duhet të aplikojë Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore Hekurudhat e RMV-së, pasi që ai është planifikuar të realizohet në kuadër të Programit Operativ Sektorial për IPA të BE-së për periudhën 2024-2028.
Nga kjo ministri sqarojnë se pas aplikimit nga ana jonë, Bashkimi Evropian do të bëjë zgjedhjen përfundimtare dhe do të vendosë nëse do ta përfshijë projektin hekurudhor deri në aeroportin e Shkupit në programin IPA, gjegjësisht nëse do ta mbështesë financiarisht zbatimin e këtij projekti infrastrukturor.
Për momentin nuk është përgatitur projekt-dokumentacioni për ndërtimin e degës hekurudhore nga hekurudha ekzistuese Shkup-Kumanovë deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, konfirmojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Megjithatë, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore, Hari Llokvenec, në intervistë për Lokalno.mk sqaron se me ndërtimin e hekurudhave drejt Bullgarisë dhe Shqipërisë, është planifikuar që udhëtarët nga dy aeroportet e Maqedonisë të kenë lidhje hekurudhore me Shkupin dhe Ohrin. Pra, me ndërtimin e hekurudhës drejt Shqipërisë është planifikuar lidhja hekurudhore e aeroportit të Ohrit me Ohrin.
Ai thekson se është planifikuar lidhje e aeroportit të Shkupit me kryeqytetin, por pa dhënë detaje dhe data më konkrete për realizimin e tij.
Meta.mk në dy raste, më 3 dhe 10 prill të këtij viti, ka dërguar pyetje deri tek NP për Infrastrukturë Hekurudhore Hekurudhat e RMV-së për projektin për vendosjen e trenit për transport ndërmjet aeroportit të Shkupit dhe kryeqytetit. Pyetëm se deri ku është përgatitja e dokumentacionit të projektit dhe studimit të fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës deri në aeroportin e Shkupit, si është situata me sigurimin e mjeteve financiare për këtë projekt dhe kur mund të fillojë ndërtimi i degës së premtuar hekurudhore për në aeroportin e Shkupit. Por, nga kjo ndërmarrje publike ende nuk kemi marrë përgjigje.
Drejtori i kësaj ndërmarrjeje publike, Hari Llokvenec, në shkurt të vitit 2021 tha se po përgatitet një zgjidhje konceptuale për ndërtimin e degës hekurudhore nga hekurudha ekzistuese Shkup-Kumanovë deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Ai atëkohë tha se ndërtimi i hekurudhës deri në aeroportin e Shkupit mund të përfundojë në vitin 2023. Por, nga perspektiva e sotme në terren nuk kanë filluar kurrfarë punësh ndërtimore për realizimin e këtij projekti.
Ndërtimi i linjës hekurudhore deri në aeroportin e Shkupit ishte i përfshirë në Strategjinë Kombëtare të Transportit të vendit për periudhën 2018-2030, por edhe në programin e punës së qeverisë për periudhën 2020-2024.
Në nëntor të vitit 2021, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore Hari Llokvenec informoi se janë duke punuar në zhvillimin e detyrës së projektit, e cila vjen para përgatitjes së studimit të fizibilitetit për hekurudhën e ardhshme deri në aeroport, që do të ishte 8 kilometra e gjatë. Më pas Llokvenec tha se pikërisht studimi i fizibilitetit do të jepte të dhëna për arsyeshmërinë e zbatimit të projektit.
Sipas të dhënave të shënuara në Strategjinë Kombëtare të Transportit për periudhën 2018-2030, vendosja e trenit të aeroportit pritet të kushtojë 30 milionë euro. Këto mjete do të nevojiteshin për ndërtimin e hekurudhës deri në vetë aeroportin, për një stacion hekurudhor afër ndërtesës së aeroportit, si dhe për blerjen e trenave të rinj për realizimin e relacionit me qendrën e Shkupit.
Në periudhën e kaluar “Meta.mk” në disa raste shkroi se vendosja e kësaj linje hekurudhore do t’u mundësonte qytetarëve të udhëtojnë në aeroportin e Shkupit dy herë më shpejt dhe tre deri në katër herë më lirë se sa me linjën aktuale të autobusëve ndërmjet aeroportit dhe qendrës së Shkupit. Në të njëjtën kohë, treni i aeroportit do mund të përdorej edhe nga popullata lokale dhe qytetarët që punojnë në Ilinden dhe vendbanimet dhe zonat industriale përreth, dhe të cilët udhëtojnë çdo ditë nga dhe drejt qendrës së Shkupit.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, shërbimet e aeroportit të Shkupit vitin e kaluar i kanë shfrytëzuar 2.134.988 udhëtarë. Edhe krahas rënies drastike të numrit të udhëtarëve në komunikacionin ajror për shkak të pandemisë me COVID-19 gjatë vitit 2020 dhe 2021, statistikat tregojnë se transporti ajror në aeroportin e Shkupit po rimëkëmbet shpejt dhe që këtë vit mund të tejkalohet rekordi historik nga viti 2019 kur u transportuan 2.35 milionë udhëtarë.