Vdiq shtetasi shqiptar pasi u shemb dheu gjatë kohës kur punonte në Çellopek të Tetovës

Një qytetar i Republikës së Shqipërisë ka vdekur dje si rezultat i shembjes së dheut gjatë kohës që ai po punonte në fshatin Çellopek të Tetovës, transmeton Portalb.mk.

Policia e Tetovës njoftoi se dje rreth orës 15:40 te ata është raportuar se në Spitalin Klinik të Tetovës pa shenja jete është sjellë L.B. (54) nga Republika e Shqipërisë.

“Sipas paraqitjes, teksa ishte duke kryer punë ndërtimore në Çellopek të Tetovës rreth orës 14:30 është shembur dheu në kanalin që e hapnin. Ai është nxjerrë nga kanali dhe është transportuar në ordinancën private në fshat për ndihmë mjekësore dhe më pas rrugës për në Spitalin klinik të Tetovës vdiq”, informoi SPB Tetovë.

Prokurori publik dhe ekipi i Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës kanë kryer këqyrje dhe mbi trupin e pajetë do të bëhet obduksion.

Nga policia informojnë se rasti është zbardhur dhe dokumentuar.

Kujtojmë që muajin e kaluar në fshatin Shipkovicë të Tetovës jetën e humbën dy persona gjatë periudhës që ishin duke punuar afër një muri i cili pas rrëzimit ka shkaktuar vdekjen e tyre.