RMV, partitë opozitare të “Lidhjes Evropiane për Ndryshim” nënshkruan deklaratën e koalicionit

Partitë nga blloku opozitar shqiptar Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Lëvizja Besa, të bashkuara në koalicionin “Lidhja Evropian për Ndryshim”, do të marrin pjesë së bashku në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Krerët e tri partive, Afrim Gashi, Izet Mexhiti, Bilal Kasami, sonte në një manifestim solemn në Tetovë nënshkruan deklaratën e koalicionit, me të cilën u zotuan për një performancë të përbashkët zgjedhore.

“Salla e sportit e shkollës medicinale ishte e vogël për t’i pranuar gjithë simpatizantët e LEN-it. Prania masovike e qytetarëve në nënshkrimin e deklaratës jep sinjalin se bashkimi i opozitës shqiptare ka ngjallur shpresën tek qytetaret se pas 20 viteve ndryshimi është i mundshëm edhe në kampin politik shqiptar”, thuhet në njoftim.

Në tubim u tha se kjo lidhje lindi si antipod i krizës në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare.

Mes tjerash ata thanë se pas 6 muajve kjo qeveri aktuale do të jetë e shpartalluar dhe se Lidhja Europiane për Ndryshim do të jetë fituese e zgjedhjeve.

Tre partitë opozitare shqiptare tashmë më 5 nëntor kanl shpalosur emrin që i përfaqëson bashkërisht, si dhe nën të cilin do të bashkëpunojnë dhe do të garojnë në të ardhmen. Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i shoqëruar nga dy kryetarët e partive, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.