RMV, pacientëve me kancer, të cilët duhet të marrin ushqime të shëndetshme, iu ndanë senduiça, nga Ministria e Shëndetësisë nuk e dinë nëse janë sipas protokolleve

Më 22 tetor, në Klinikën për radioterapi dhe onkologji, Shoqata Hemaonko zhvilloi ngjarje për ngritjen e vetëdijes për pacientët onkologjikë. Mirëpo, një lëshim jo i vogël ka ndodhur në sy të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari dhe të drejtorit të klinikës, Igor Stojkovski. Ndoshta me qëllim shumë të mirë, por me efekt të dëmshëm, këtyre pacientëve ndër të tjera, u është shpërndarë edhe ushqim i shpejtë, senduiçë, gjë që nuk preferohet, sidomos pasi ata janë të ndjeshëm në helmime nga ushqimi, prandaj duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ushqim. Nga shoqata thonë se ushqimi është përgatitur sipas protokolleve, por Ministria nuk është në dijeni, raporton Portalb.mk.

Ndaj këtij lëshimi reagoi Liridona Beqiri, kryetare e organizatës civile “Ezra”, e cila thotë se monitorimi i shpërndarjes se ushqimit për pacientet onkologjik është thelbësorë për të minimizuar rrezikun e helmimit nga ushqimi. Sipas saj, duhet doemos zbatuar protokollet dhe strategjitë e monitorimit ku reduktohet ky rrezik “në vend se te bëhet onko turizem me pacientët”.

“Sigurimi i një mjedisi te sigurt ushqimor është thelbësor për shëndetin dhe rimëkëmbjen e këtyre pacienteve, ndaj vigjilenca dhe respektimi i protokolleve te sigurisë ushqimore janë thelbësore! Fjala është për ndjeshmërinë e veçantë të kategorisë së pacientëve, të cilët në nivelin më të lartë, sidomos gjatë kimioterapisë, duhet të mbrohen nga ndikimet e jashtme, veçanërisht nga niveli më i lartë i sigurisë ushqimore. Që atëherë si shoqatë pacientësh kemi vizituar spitalet, kemi sjellë në spital dhuratat përkatëse simbolike pas marrëveshjes paraprake me drejtorin e spitalit, por nuk i kemi dhënë askujt ushqim sepse duhet të jetë i sigurisë së lartë. Ka norma të veçanta ligjore për marrje ushqim nga jashtë, dhe çdo spital që punon me pacientë e di më së miri se marrja nga jashtë, pavarësisht qëllimeve të mira, sidomos për pacientët që aktualisht janë duke marrë kimioterapi, duhet të jetë në nivelin më të lartë”, thotë Beqiri.

Portalb.mk pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë, por nga atje nuk e shohin si diçka të rrezikshme një gjë të tillë dhe pranojnë se shpërndarje e sanduiçëve nuk është bërë mbi bazën e asnjë protokolli.

“Shoqata Hemaonko për çdo vit organizon aktivitete për ngritjen e vetëdijes për pacientët të cilët janë onkologjikë. Po e njëjta shoqatë ka organizuar pres-konferencë bashkë me ministrin. Po te njejtet kanë shpërnda, ëmbëlsira, pemë nëse nuk gaboj, dhe jo pacientëve në spital, por pacientëve të cilët kanë qenë ku presin pacientët. D.m.th. është shumë normal që pacientët që janë të pranuar në spital duhet të kenë kujdes me ushqimin, mirëpo këta i i kanë shpërnda për pacientët dhe familjarët e pacientëve”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Portalb: Por nëpër fotografi duken që janë pacientë të sëmurë?! Meqenëse është në bashkëpunim me MSh, duhej të mbetej me fruta apo ushqime që iu lejohen atyre. D.m.th. e përjashtoni që të jenë të shpërndara mbi bazë të ndonjë protokolli?

Ministria e Shëndetësisë: Jo s’ka të bëjë ajo me ministrinë.

Portalb: Por, është në dijeni Ministria!

Ministria e Shëndetësisë: Ne kemi shkuar se ka pasur konferencë. Ata e kanë organizuar dhe e kanë shpërndarë.

Sidoqoftë, fotografitë demantojnë ministrinë, e cila thotë se pacientëve të shtrirë nuk u janë ndarë senduiçë dhe këtë e vërteton fotografia e mëposhtme:

pacientëve me kancer, të cilët duhet të marrin ushqim jashtëzakonisht të sigurt, iu ndanë senduiçë nga shoqata Hemaonko. Foto: Hemaonko
pacientëve me kancer, të cilët duhet të marrin ushqim jashtëzakonisht të sigurt, iu ndanë senduiçë nga shoqata Hemaonko. Foto: Hemaonko

Ministria nuk është në dijeni nëse është sipas protokolleve, por nga Shoqata Hemaonko thonë se ushqimi është sipas protokolleve dhe për këtë është biseduar me institucionet përkatëse. 

“Gjithçka është sipas protokollit pasi ato senduiçë janë bërë sepcial për pacientë, sipas të gjitha standardeve që ekzistojnë. Ky nuk është rast për tu publikuar, pasi e dini se si është situata dhe pfarë ushqimi marrin pacientët. Ky është një gjest që është biseduar nëse mund të shpërndahet. Ushqimet janë sipas standardeve”, thonë nga Shoqata Hemaonko.