RMV, Ministria e Brendshme do të punësojë 600 policë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot ka publikuar shpallje publike për lidhjen e marrëdhënies së punës për 600 kandidatë në vendin e punës ,,Polic’’ për punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Në Sektorin e Punëve të Brendshme Shkup kërkohen 300 kandidatë, SPB Ohër– 100, SPB Tetovë – 30, SPB Kumanovë, Shtip, Strumicë nga 20, SPB Manastir dhe Veles nga 15, nga 20 në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare Veri dhe Perëndim, nga 10 në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare Lindje dhe Jug si dhe në Departamentin për Mbrojtjen e Personaliteteve dhe Objekteve të Caktuara – 20.

Krahas kushteve të përgjithshme të deklaruara në konkurs, kandidatët duhet të plotësojnë edhe kushtet e veçanta, përkatësisht: lartësia e kërkuar e trupit të paktën 175 centimetra për djemtë, 165 centimetra për vajzat dhe aftësia e lartë fizike personale, si dhe në dokumentacionin e nevojshëm për plotësimin e kushteve të nevojshme për vendin e punës si certifikatë lindjeje, diplomë për arsimin e mesëm katërvjeçar dhe dy fotografi (3,5 cm x 4,5 cm), si dhe deklaratë e nënshkruar me dorë që vërteton se nuk është anëtar i ndonjë partie politike.

Kandidatët e paraqitur do të kalojnë procedurë përzgjedhjeje, e cila përfshin përzgjedhjen administrative të dokumentacionit të paraqitur, kontrollin e aftësive motorike, testin e integritetit dhe testin psikologjik, testin e arsimit të përgjithshëm, intervistën, kontrollin e sigurisë dhe ekzaminimet shëndetësore.

Kandidatët e përzgjedhur për policë do të nënshkruajnë kontratë për trajnim bazë policor për një periudhë njëvjeçare, e cila do të zhvillohet në Qendrën e Trajnimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe do të marrin pjesë 10 përqind më shumë kandidatë policorë se sa numri i pozitave në dispozicion për të cilin është shpallur ky konkurs, pra në Qendrën e Trajnimeve do të referohen gjithsej 660 kandidatë.

MPB njoftoi se afati për dorëzimin e aplikacioneve është 15 ditë, duke llogaritur nga dita pas publikimit të shpalljes publike, duke mos llogaritur vetë ditën e publikimit. Dokumentacioni i parakohshëm dhe i pakompletuar nuk do të merret parasysh.

Informata më të hollësishme gjenden KËTU.