Demiri e shkarkoi drejtorin e Kardiokirurgjisë, Shokarovskin, Prokuroria do të duhet të veprojë sipas gjetjeve të ministrit

Është shkarkuar nga detyra drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Marjan Shokarovski, tha sot ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, transmeton Portalb.mk.

“Kam marrë konstatime se shkalla e vdekshmërisë në Klinikë është rritur. Kam formuar një komision dhe raportin e kam marrë të premten dhe nuk ka pasur devijime të rëndësishme. Por sot mora një tjetër informacion, se për 170 pacientë nuk është paraqitur asnjë informacion në ‘Terminin tim’ për letrat e lirimit dhe vdekjet, ndaj supozoj se shifra e vdekshmërisë mund të ndryshojë”, tha Demiri në një konferencë për media në Ministrinë e Shëndetësisë.

Arsyeja tjetër e shkarkimit të drejtorit, sipas Demirit, janë marrëdhëniet tejet të prishura ndërpersonale në atë institucion.

Se kush do të jetë drejtori i ri, Demiri tha se duhet të jetë ekspert që do të vijë nga jashtë.

“Sepse unë jam një ministër në largim dhe kam dashur ta shtyj këtë dhe procedurën ta kryejë ministri i ardhshëm ose unë rastësisht nëse vazhdoj të jem. Aty duhet të caktohet një ekspert nga jashtë si drejtor. Duhet të jetë dikush që ka lidhje me kardiokirurgjinë ose kirurgjinë vaskulare dhe nëse vendos unë nuk do të jetë punonjës i Klinikës së Kardiokirurgjisë, por do të jetë nga jashtë. Sot formova një komision të ri për programin për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe do të kërkoj ekspertë botërorë në Gjermani, Itali, Zvicër, me të cilët do të merremi vesh të vijnë”, shtoi Demiri.

Përveç Shokarovskit, Demiri tha se sot ka shkarkuar edhe udhëheqësen e Programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, Aleksandra Eftimova.

“Në Maqedoninë e Veriut janë ndarë mjete nga buxheti i vitit 2011 për Programin për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, i cili është dedikuar që ekspertët me famë botërore të cilët janë pjesë e fushës së kardiokirurgjisë të jenë mbikëqyrës dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë. Paga ditore për një ekspert të tillë është 700 euro”, ka thënë Demiri.

Ai shtoi se ka kërkuar nga Eftimova një raport se cilët janë ata ekspertë botërorë për të cilët ka thënë se kanë ardhur nga Republika e Serbisë nga qendra Dedinje, por pasi nuk e ka marrë, ka vendosur ta shkarkojë atë dhe komisionin.

“Nuk e di nëse këta ekspertë me famë botërore që vijnë në Kardiokirurgji kanë licenca dhe nëse i plotësojnë kërkesat, nuk kam parë ende”, tha ai.

Në pyetjen e një gazetari nëse këta 170 persona të paregjistruar në Kardiokirurgji janë operuar në mënyrë fantazmë pa u futur në sistem, nëse janë operuar dhe më pas kanë vdekur dhe nuk janë futur, Demiri tha se nuk kanë vdekur, dhe se nuk ka të dhëna dhe se e di vetëm se për 170 pacientë mungojnë të dhëna.

“Prandaj do të shkojë në Prokurori dhe do të hetojë të gjitha këto mangësi”, shtoi ai.

I pyetur nëse në raport thuhet se shkalla e vdekshmërisë në Klinikën Shtetërore të Kardiokirurgjisë është rritur nga 25 deri në 40 për qind, Demiri tha se në raportin që ka nuk ka devijime të theksuara në vdekshmëri, por analiza statistikore bazohet në të dhënat që janë futur.

“Analiza është bazuar në të dhënat e “Termi im”. Të dhënat e tjera që mora sot janë diçka tjetër dhe për këtë duhet bërë një analizë e re, të bëhet një analizë e re statistikore dhe më pas të jepet një mendim. Nëse do të vazhdoj të jem ministër i Shëndetësisë, do të jem transparent, nëse jo, këto konstatime dhe dyshime do t’i raportoj në prokurori”, u përgjigj Demiri.

I pyetur se si e ka marrë vesh që ka pacientë që nuk janë në “Termin im”, Demiri tha se nuk mund të ndajë gjithçka me publikun.

Në qershor të vitit të kaluar, ministri paraprak Fatmir Mexhiti e emëroi Shokarovskin drejtor pasi e kishte shkarkuar doktorin Sashko Jovev.