RMV, LSDM sot pritet ta propozojë Jovan Mitreskin për kryetar të Kuvendit

LSDM në takimin e sotëm të udhëheqësisë së partisë pritet që ta propozojë Jovan Mitreskin për kryetar të Kuvendit, informoi deputetja e kësaj partie Daniella Markoska, njofton Portalb.

“Kryetari i partisë dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për nesër ka caktuar mbledhje të udhëheqësisë së LSDM-së. Në këtë mbledhje nga ana e Kovaçevskit pritet që Jovan Mitreski të propozohet për kryetar të Kuvendit dhe të konfirmohet nga ana e udhëheqësisë dhe Këshilli ekzekutiv i LSDM-së”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp Markoska.

Propozimi i Mitreskit për kryetar të Kuvendit vjen pasi dje Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi që kryetarin aktual të Kuvendit Talat Xhaferi ta propozojë kryeministër të Qeverisë teknike që do të funksionojë nga 28 janari.

Deputetja Markoska theksoi se për LSDM-në propozimi që Talat Xhaferi të jetë kryeministër i Qeverisë teknike është zgjidhje adekuate dhe e mirë.

Më 05 qershor të vitit 2020, kur kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. “Të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar. Akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe”, pati deklaruar atëkohë Ahmeti.

Por pas përfundimit të zgjedhjeve, LSDM dhe BDI filluan bisedimet për formimin e Qeverisë ku edhe arritën marrëveshje që kryeministër me mandat 4-vjeçar të jetë Zoran Zaevi, ndërkaq në 100 ditët e fundit të mandatit, BDI do të propozojë kuadër për kryeministër shqiptar.

Çështja e kryeministrit të parë shqiptar së fundmi i soll sërish në vëmendje, pasi që Ky reagim nga BDI erdhi pasi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet.