RMV, kundër gripit sezonal deri tani janë vaksinuar mbi 29 mijë qytetarë

Mbi 29 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më tani kundër gripit sezonal, njofton Ministria e Shëndetësisë. Deri më tani për vaksinim falas kundër gripit sezonal janë regjistruar 58.012 qytetarë. Vaksinimi po zhvillohet pa probleme në qendrat shëndetësore publike dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, transmeton Portalb.mk.

“Vaksinimi falas mbulon këto grupe rreziku: të moshuarit (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale të personat e moshuar dhe personat e punësuar në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Nga atje përkujtojnë se të gjithë të interesuarit mund të regjistrohen për vaksinim falas duke plotësuar aplikimin në ueb-faqen – vakcinacija.mk, ndërsa më pas do të marrin SMS për datën, kohën dhe vendin e saktë të vaksinimit.

“Me qëllim të mbrojtjes së një numri më të madh të njerëzve nga gripi sezonal, Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka rritur sasinë e vaksinave të blera, ku janë blerë 60 mijë doza nga katër lloje të vaksinave të gripit sezonal për vaksinim falas. Vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, i cili parandalon shfaqjen e formave më të rënda, ndërlikimet dhe vdekjen, veçanërisht tek grupet e rrezikut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe, numri i personave me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin gjatë periudhës njëjavore nga tetori i këtij viti është rritur për 41,6 për qind, krahasuar me 13 stinët e kaluara. Kështu thuhet në raportin për gjendjen e gripit në vend, i cili është publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Krahasuar me javën e 42 të sezonit të kaluar, është regjistruar një rritje prej 96.3 për qind. Deri në këtë javë janë raportuar gjithsej 151 raste me grip. Po ashtu, po monitorohet gjendja me infeksione të rënda akute respiratore, kështu që këtë javë janë raportuar gjithsej 32 raste të tilla në Shkup dhe Shtip. Numri më i madh i këtyre rasteve janë raportuar nga Instituti për sëmundje të mushkërive te fëmijët – Kozle, ndërsa sa i përket shpërndarjes moshore, numri më i madh i rasteve janë fëmijët nën moshën 4 vjeçare”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.