“Ditët e Alfabetit” në Maqedoni me një program të pasur kulturor dhe shkencor

Ky aktivitet tradicional organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me institucionet relevante akademike shkencore nga vendi dhe rajoni, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Kështu, prej ora 10:00 në ITSHKSH – Shkup do të shënohet përvjetori i Kongresit të Manastirit dhe i themelimit të Institutit, si dhe do të përurohet pulla postare me figurat e Motrave Qiriazi (në bashkëpunim me Filatelinë e Postës së Maqedonisë së Veriut). Prej ora 14:00, në Filamoninë e Maqedonisë së Veriut në Shkup, do të mbahet manifestimi qendror me Akademinë solemne.
Në mbërmje ngjarjet do të zhvendosen në Manastir, ku prej ora 18:00 në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të hapet ekspozita me dokumente dhe fotografi “Qiriazët- themeltarët e arsimit kombëtar” (në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Qiriazi” – Tiranë), si dhe do të bëhet përurimi i Departamentit “Qiriazët” në kuadër të ITSHKSH-së në Manastir.
Dhe krejt në fund, prej ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës në Manastir, do të jepet koncerti festiv nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.