RMV, javën e ardhshme do të hapet panairi solar për burimet e rinovueshme të energjisë

Nga data 15 deri më 17 shtator do të mbahet “Panair solar” i madh, në të cilin do të marrin pjesë njëzet kompani dhe vizitorët do të kenë mundësinë të shikojnë teknologjitë më të fundit nga sektori diellor, transmeton Portalb.mk.

Në event do të marrin pjesë prodhues dhe tregtarë të pajisjeve diellore si: kolektorë fotovoltaikë, kolektorë termikë, bateri magazinimi, pompa nxehtësie, kolektorë foto/termikë, mbrojtje nga rrufetë, sisteme ngrohje/ftohje/ventilim, pajisje bakri për sisteme termike, inverterë, diellore, tharëse, kolektorë ajri, biçikleta elektrike dhe karikues elektrik, struktura për montimin e kolektorëve diellorë dhe ngrohësve diellorë të ujit.

“Vizitorët do të mund të marrin pjesë në diskutimet për përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë për familjet dhe të dëgjojnë rekomandime nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këta sektorë. Gjatë shikimit të pajisjeve solare, qytetarët do të mund të kenë takime të drejtpërdrejta me përfaqësues nga sektori bankar dhe me donatorë dhe do të marrin rekomandime të dobishme për opsione të ndryshme financimi me rastin e zgjedhjes së pajisjeve”, thotë Solar Macedonia.

Qëllimi i panairit është të zvogëlojë ndikimin e ndryshimeve klimatike përmes përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Kjo do të arrihej përmes edukimit gjithëpërfshirës të popullatës. Forcimi i kapaciteteve është i mundur duke rritur ndërgjegjësimin e publikut për investime në pajisje të certifikuara sipas rregullores evropiane. Shpesh flasim për efikasitetin e energjisë, burimet e rinovueshme të energjisë, por rrallëherë pyesim veten se cilat certifikata dhe kushte janë të nevojshme kur zgjedhim sistemin më adekuat. Në këtë panair qytetarët do të mund të edukohen dhe të informohen se çfarë pajisje ofrohen në vendin tonë, ku ka subvencione, linja kreditore të favorshme për efikasitet energjetik dhe të shohin aty për aty se në çfarë pajisje mund të investojnë”, thotë profesori Ilija Nasov dhe inxhinieri mekanik Stefan Trajkov nga shoqata Solar Macedonia.

“Duam të ndërgjegjësojmë fuqinë që kanë qytetarët si konsumatorë për të ndikuar në përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit, duke kursyer energji elektrike dhe njëkohësisht para, vetëm në këtë mënyrë do të reduktohen pasojat e ndryshimeve klimatike. Në këtë ngjarje do të jenë të pranishme edhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë në sektorin e mjedisit, energjetikës dhe klimës, kështu që të pranishmit do të mund të mësojnë më shumë për aktivitetet dhe fushatat e tyre”, thotë Zharko Koneski, udhëheqës i projektit “Organizatat civile në veprim për Ndryshimet Klimatike”.

Panairi do të mbahet në katin përdhesë të City Mall. Ai financohet në kuadër të projektit “Organizatat Civile në Veprim për Ndryshimet Klimatike” i udhëhequr nga Qendra për Kërkime dhe Informacione Mjedisore “Eco-Svest” dhe në bashkëpunim me “Shoqatën e Juristëve të Rinj të Maqedonisë” dhe “Organizata për lidhjen e vlerave natyrore dhe njerëzve”. I gjithë projekti mbështetet financiarisht nga Qeveria e Mbretërisë së Suedisë.