RMV-ja nisi rikonstruktimin e vendkalimit kufitar Deve Bair

Në vendkalimin kufitar Deve Bair midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë filloi rindërtimi dhe rikonstruktimi i kësaj pike kufitare, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor filluan me realizimin e punimeve ndërtimore në pikat kufitare rrugore nga Korridori 8, respektivisht në pikat kufitare Deve Bair dhe Qafë Thanë.

Vlera e përgjithshme për realizimin e fazës së parë të këtyre projekteve është 118 milionë denarë, prej të cilave 96 milionë denarë janë për rindërtimin dhe rikonstruktimin e pikës kufitare Deve Bair dhe 22 milionë denarë për pikën kufitare Qafë Thanë, ku gjithashtu kanë nisur aktivitetet ndërtimore, të cilat duhet të përfundojnë brenda gjashtë muajve.

Mickoski në fjalën e tij tha se “çdo pikë e vendit është e rëndësishme për ne dhe nuk do të lëmë asnjë pikë që nuk do të rindërtohet dhe rinovohet”.

Sipas parashikimeve projekti për rindërtimin dhe rikonstruktimin e pikës kufitare Deve Bair do të zhvillohet në dy faza. Procedurat për import, eksport dhe transit do të zhvillohen në një vend, gjë që do të jetë lehtësim për operatorët ekonomik dhe do të kontribuojë në shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zv/kryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtori i Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci dhe drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikolovski.