RMV, hekurudha në golgotë, ura e plasaritur ka pezulluar trenat në Korridorit 10

Pezullim i ri i qarkullimit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave në hekurudhën Veles-Gjevgjeli për shkak të plasaritjes së shtyllës prej betoni në një urë mbi Cërna Reka, në mes të fshatrave Kukuriçan dhe Gradsko. Që nga dita e djeshme, qarkullimi është ndërprerë plotësisht nga ora 15:25, ndërsa për pasagjerët po organizohet transporti me autobus, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QМK), transmeton Portalb.mk.

“Sipas informacioneve të Hekurudhave të Maqedonisë për shkak të plasaritjes së shtyllës së betonit në urën e Cërna Rekës, në linjën Gjevgjeli-Veles, më saktësisht ndërmjet stacioneve hekurudhore Kukuriçani-Gradsko (afër Stobit), qarkullimi hekurudhor në këtë drejtim është i pezulluar plotësisht”, bëjnë të ditur nga QKM.

Ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të UKM-së janë paraparë që gjatë ditës të dalin në terren për të parë situatën. Transporti me autobus është i organizuar për pasagjerët.

“Konkretisht nga Shkupi trenat do të lëvizin për në Gradsko, ndërsa nga Gjevgjelia për në Krivollak. Nga stacionet e përmendura hekurudhore (Gradsko dhe Krivollak), udhëtarët transportohen me autobus”, njofton QKM.

Ndryshe, për shkak të problemeve me urën identike mbi Cërna Reka në vitin 2018, qarkullimi hekurudhor në Korridorin 10 është ndërprerë plotësisht. Më 2 tetor 2018, lëvizja e trenave është ndërprerë për shkak të çarjes së shtyllës në urë. Më pas u kryen riparime urgjente në urë, por trafiku hekurudhor u pezullua për më shumë se një muaj dhe u rikthye në shërbim në fillim të nëntorit 2018.

Për shkak të këtij ndalimi të qarkullimit, dëme të mëdha pësoi veçanërisht ekonomia, për shkak të mosekzistimit të rrugës alternative për transportin e mallrave drejt portit të Selanikut dhe anasjelltas.