RMV, gjatë fushatës tha se do ta kthejnë emrin e shtetit, kryeministri tani thotë se emri i Maqedonisë së Veriut mbetet realitet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në Podcastin me Stefan Lazarov u pyet se a do ta kthejë emrin e vjetër të shtetit siç kishte premtuar gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare 2024 në vend, por kryeministri nuk dha përgjigje konkrete, ai u shpreh që emri i ri është realitet, që do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të tij, shkruan Portalb.mk.

“Kam qenë i pari në vitin 2019 që kam thënë se Marrëveshja e Prespës është realitet. Nga ana tjetër, kur vjen në këtë pozicion, ke dy zgjedhje, rrezikon të izolohesh dhe e dyta të luash për të bërë miq, ndërsa për të bërë miq do të thotë të respektosh Kushtetutën dhe ligjet. Në betimin që e dhamë e përmendën dhe prapashtesën (e Veriut) sepse betimi është pjesë e Kushtetutës dhe ligjit. Unë si kryeministër nuk mund të respektoj ligjet kur dua dhe mos të respektoj ato kur nuk dua. A pajtohem – a nuk pajtohem, a do ta lë zjarrin të digjet dhe një ditë do të korrigjohet ajo padrejtësi – po, po, tha Mickoski.A pajtohem, a nuk pajtohem, a do ta lë zjarrin të digjet dhe një ditë do të korrigjohet ajo padrejtësi po, po”, tha Mickoski.

I pyetur se pritshmëritë e opinionit ishin se nëse do të vinin në pushtet do të gjenin zgjidhje për këtë rast, për të cilën Mickoski u përgjigj se për të Maqedonia është Maqedoni, por që fatkeqësisht është realiteti dhe se duhet të përcaktohen qëllimet.

“Nuk ka poshtërim më të madh, por nëse në ndonjë ngjarje do të thotë që ne si shtet, si popull të marrim diçka tjetër, do të duhet ta bëjmë, do ta bëjmë për të marrë një punë shumë më të madhe”, tha Mickoski.

Rikujojmë se një nga narrativat kryesore me të cilët VMRO-DPMNE në krye me Mickoskin së bashku me presidenten Gordana Siljanovska Davkova, i fituan zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të këtij viti në Maqedoninë e Veriut, ishte se do “t’ia kthejnë emrin e vjetër shtetit”, gjegjësisht do të quhemi sërish Republika e Maqedonisë. Madje, sa mori pozitën e presidentes, në betimin zyrtar të saj, Gordana Siljanovska Davkova nuk e përmendi emrin Maqedonia e Veriut, gjë që shkaktoi skandal diplomatik me Greqinë dhe nxiti reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Pasi bëri bujë me emrin e shtetit, presidentja Siljanovska Davkova tha se do ta respektojë emrin kushtetues të RMV-së.

Ajo madje që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke. Ky hap i Siljanovskës dhe i partisë nga e cila ajo u mbështet, VMRO-DPMNE, ka hasur në reagim të ashpër të Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar, duke ia kujtuar se vendi duhet ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.