RMV, gjashtë zjarre aktive, një është vënë nën kontroll

Nga gjithsej 36 vatra zjarri gjatë ditës së djeshme, gjashtë janë aktive. Një zjarr është vënë nën kontroll, ndërsa 27 janë shuar, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Zjarri në territorin e Prilepit është aktiv me degëzime në drejtim të fshatrave Peshtani, Kokre, Kalen, Dunje, Bonçe, Krushevicë, Vollkovë, Shtavicë, Prilepec, Çimovë dhe Sellcë drejt vendit të quajtur Çulë në malin Seleçkë.

Zjarri është aktiv në Komunën e Çashkës në malin Mukos, afër fshatit Oraov i Poshtëm. Në Komunën e Petrovecit, në afërsi të fshatrave Gradmanci, Breznicë dhe Katllanovë, digjet një pyll me kërcell të ulët.

Në rajonin e Shtipit, zjarre po digjen në afërsi të fshatrave Haxhi Kamzali, Ederleci dhe Tëplik, si dhe në zonën e poligonit Krivolak, ku digjet një pyll me kërcell të ulët.

Pyll i përzier po digjet në Çuçer Sandevë, afër fshatit Tanushë, në vendin e quajtur Ramno. Djegie ka në Dolcen afër fshatit Desovë.

Sipas informacioneve nga QMK-së, zjarri në deponinë komunale në Komunën e Krushevës është vënë nën kontroll.

Zjarret janë shuar në komunat Kratovë, Gjorçe Petrov, Vinicë, Dellçevë, Koçan, Kumanovë, Likovë, Manastir, Rosoman, Bërvenicë, Tetovë, Gostivar, Vrapçisht, Gjevgjeli, Strugë, Kërçovë, Bogovinë, Krushevë, Saraj.

Për shkak të zjarreve në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila u vazhduar përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.