RMV, ekocidi edhe zyrtarisht është një vepër e re penale, juristët mendojnë se do të jetë e vështirë të dëshmohet

Ekocidi edhe zyrtarisht është vepër penale e re në legjislacionin në Maqedoninë e Veriut. Më 15 mars hynë në fuqi dispozitat e ndryshimeve në Kodin Penal që kanë të bëjnë me veprat kundër mjedisit jetësor dhe natyrës. Ekocidi është definuar si ndotje afatgjatë dhe e përhapur gjerë e mjedisit jetësor që shkakton dëme të rënda, ndërsa për këtë është paraparë dënim me burg nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan për harmonizim me direktivat e Bashkimit Evropian në këtë fushë, para së gjithash me Direktivën për mbrojtjen e mjedisit jetësor, përmes të drejtës penale, theksojnë Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë.

Me ndryshimet e reja, për dallim nga më parë, për disa vepra penale nuk është më e nevojshme që të shkaktohet dëm në mjedisin jetësor, por mjafton vetëm lirimi i emetimeve dy ose pesë herë mbi vlerat e lejuara që kjo gjë të përbëjë një vepër penale. Nga ana tjetër, nëse vërtetohet se emetimet e tilla kanë shkaktuar rrezik ose dëm konkret ndaj shëndetit të njerëzve ose ndaj mjedisit jetësor, atëherë kjo merret si bazë për një dënim më të lartë.

Kështu, për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës që është të paktën dy here më e madhe se vlera maksimale e lejuar me ligj ose me marrëveshje ndërkombëtare, parashikohet dënim me burg nga një deri në tre vjet. Nëse ndotja është pesë herë më e madhe, atëherë dënimet janë nga një deri në pesë vjet. Këto vepra penale plotësohen, kështu që nëse vërtetohet se dikush ka shkaktuar një rrezik serioz për jetën ose shëndetin e njerëzve me përmasa të mëdha, ose llojeve të rralla  të botës bimore ose shtazore, ose të specieve të rralla të bimëve ose kafshëve, mund të dënohet me dënim me burg nga tre deri në dhjetë vjet. Dënim me burg prej tre muajsh deri në pesë vjet do të jepet edhe për varfërimin e shtresës së ozonit. Përveç ekocidit, me ndryshimet në Kodin Penal edhe zhurma bëhet vepër penale, për të cilën një person mund të gjobitet ose të dënohet me burgim deri në tre vjet.

Nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor thotë se dënimet e larta të parashikuara në Kodin e ri Penal shërbejnë si masë parandaluese dhe si mekanizëm që secili të mbajë përgjegjësi për dëmet që i shkakton në mjedisin jetësor. Ekocidi është përfshirë në listën e krimeve më të rënda sepse përfaqëson një shkatërrim masiv të qëllimshëm të mjedisit jetësor. Në praktikë, kjo nënkupton shkaktimin e zjarreve në pyje, derdhjen e naftës ose mbetjeve kimike, tharjen e ekosistemeve moçalore, gjuetinë dhe peshkimin e tepruar dhe të pakontrolluar, kontaminim radioaktiv për shkak të testimeve bërthamor dhe përdorimit të armëve bërthamore, pra veprime ose mosveprime që do të shkaktonin një shkatërrim masiv të ekosistemeve, ose me një fjalë, shkatërrimin e natyrës deri në atë masë sa nuk do të kishte mundësi për ta rimëkëmbur botën bimore dhe shtazore.

“Ligji mund të kontribuojë në mbrojtjen e sistemeve natyrore, ndërsa prezantimi i kësaj vepre të re penale mund të nënkuptojë ndryshim të vetëdijes në drejtim të mbrojtjes më të mirë të mjedisit jetësor, që do të nënkuptonte edhe një kornizë ligjore më efektive. Përveç kësaj, mbrojtja e mjedisit jetësor në sistemin ligjor penal gëzon një nivel të ulët të mbrojtjes nëse merren parasysh veprat penale ekzistuese dhe sanksionet e parashikuara. Prezantimi i ekocidit si vepër penale nënkupton një hap përpara drejt krijimit të mekanizmave që të gjithë personat fizikë dhe juridikë të mbajnë përgjegjësi për dëmtimin e mjedisit jetësor dhe të ekosistemeve që janë rezultat i vendimeve dhe veprimeve të tyre”, theksojnë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.

Inspektorët thonë se si gjenocid do të dënohet edhe një ngjarje e vetme me intensitet më të madh, si zjarre të mëdha, aksidente në ndonjë objekt industrial apo derdhje e kimikalieve, si dhe disa veprime që përsëriten për një periudhë të gjatë kohore, si p.sh. mosvendosja e filtrave nga kompanitë dhe ndotja e vazhdueshme e ajrit ose tokës nga ana e tyre.

Megjithatë, anëtarët e Shoqatës së Juristëve të Rinj në Maqedoni besojnë se vërtetimi i të gjitha elementeve të kësaj vepre penale nuk do të jetë aspak i lehtë. Ata thonë se përgjegjësia për kryerjen e veprës penale ekocid do të nënkuptojë vërtetimin e dëmit në mjedisin jetësor, i cili sipas intensitetit të tij duhet të jetë serioz, i përhapur gjerësisht ose afatgjatë, që ka ndodhur si rezultat i një veprimi të ndërmarrë ose si pasojë e mosndërmarrjes të atij veprimi dhe se kryesi të ketë pasur si qëllim shkaktimin e dëmeve në mjedisin jetësor.

“Detyra kryesore e gjykatave do të jetë zhvillimi i kritereve për “dëm serioz, të përhapur gjerësisht ose afatgjatë të mjedisit jetësor”, pasi këto terma nuk janë të definuara. Duke qenë se diskutimi për kriminalizimin e ekocidit është relativisht i ri dhe nuk ka pasur gjykime nga gjykatat e vendeve të tjera në lidhje me këtë vepër penale, prezantimi i kësaj vepre penale, para së gjithash, duhet parë si një fuqizim deklarativ i angazhimit të shteteve për të luftuar kundër këtij krimi dhe për të mos lejuar që qytetarët të shkaktojnë dëme ndaj mjedisit jetësor”, theksojnë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.

Prej kohësh në opinion ekziston përshtypja se kemi shumë pak akuza për krim ekologjik, e akoma më pak vendime dhe dënime konkrete për ndotësit. Numri i të akuzuarve për vepra penale ndaj mjedisit është në rritje të vazhdueshme, por numri i të dënuarve vazhdimisht po bie. Në vitin 2020 janë akuzuar 107 persona, në vitin 2021 – 113 persona dhe në vitin 2022 – 152 persona.

Për dallim nga viti 2020, kur për vepra penale kundër mjedisit jetësor u dënuan 145 persona, në vitin 2021 ky numër ra në 136 persona, ndërsa në vitin 2022 janë dënuar vetëm 95 persona.

Nga Shoqata Juristëve të Rinj në Maqedoni thonë se më shumë se dy të tretat e akuzave dhe aktgjykimeve u referohen veprave penale si “uzurpimi i patundshmërive”, “gjuetia ilegale” dhe “peshkimi ilegal”, e kështu duke pasur parasysh se Kodi Penal përmban shumë më tepër krime më serioze dhe më të rënda ndaj mjedisit jetësor, nuk mund të thuhet se statistika të tilla nënkuptojnë se kemi mbrojtje thelbësore të mjedisit jetësor. Nga kjo organizatë theksojnë se mbrojtje më e madhe e mjedisit jetësor nuk do të arrihet vetëm me ndryshimin e ligjeve, por edhe duke investuar në kapacitete për zbatimin e tyre në praktikë.

“Për zbatimin efikas të Kodit Penal të ndryshuar nevojiten që prokurorë publikë të cilët kanë njohuri dhe aftësi të nevojshme dhe i kuptojnë proceset në mjedisin jetësor, që të jenë në gjendje të kryejnë një hetim efikas dhe efektiv. Vetë fusha e mbrojtjes së mjedisit jetësor është komplekse dhe delikate, prandaj është e nevojshme të krijohet një grup prokurorësh që do mund t’i përgjigjen sfidës në mënyrë adekuate. Investimi në kapacitete nuk është i nevojshëm vetëm për prokurorët publikë, por edhe për inspektorët dhe punonjësit e policisë”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.

Ata besojnë se efikasiteti i hetimit dhe i ndjekjes së veprave penale në këtë fushë do të përmirësohej nëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme krijohet një departament dhe njësi speciale e specializuar për hetimin e krimeve ekologjike. Ata besojnë se krijimi i Njësisë për Trafikimin e Qenieve Njerëzore dhe Kontrabandën e Emigrantëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka dhënë rezultate pozitive në zbulimin dhe ndjekjen e këtyre veprave penale, kështu që për këtë arsye presin që një departament i specializuar dhe një njësi për mjedisin jetësor të ndihmojnë dhe përmirësojnë ndjeshëm zbulimin e autorëve që kanë shkaktuar çfarë çdo lloj dëmi në mjedisin jetësor.

Kujtojmë se organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit në Maqedoninë e Veriut janë shprehur se autoritetet qeveritare po tregohen të pandërgjegjshme sa i përket mbrojtjes së ambientit, sidomos kur bëhet fjalë për cilësinë e ajrit. Këto reagime pasojnë propozimin për buxhetin e vitit 2024 në bazë të të cilit, vetëm 0.8 për qind e buxhetit të përgjithshëm planifikohet për mbrojtjen e mjedisit.