RMV, ekipim jashtëzakonisht i dobët, një prokuror mesatarisht ka nga 180 lëndë të reja në vit

Mesatarisht, në vit, çdo prokuror publik nga prokuroria themelore e Maqedonisë së Veriut ka punuar në rreth 180 lëndë të reja, thuhet në Raportin Vjetor për punën e Prokurorive Publike për vitin 2023, i cili sot u dorëzua në Kuvend, shkruan Portalb.mk.

“Ky numër paraqet vetëm një mesatare dhe fluksi dhe vëllimi i punës në disa prokurori të caktuara është shumë më i lartë”, thuhet në Raportin Vjetor.

Sipas këtij Raporti numri i parashikuar i prokurorëve publik është gjithsej 261. Në vitin 2023 janë plotësuar gjithsej 179 vende, pra rreth 68.6% e numrit të parashikuar. Për momentin mungon më shumë se një e treta e numrit të nevojshëm të prokurorëve publikë.

Gjatë vitit 2023 tetë prokurorë kanë dalë në pension dhe një tjetër ka kërkuar që t’i ndërpritet funksioni gjatë kohës që ndaj tij po zhvillohet  procedurë disiplinore. Vitin e kaluar i përfundoi mandati edhe kryeprokurorit publik Ljubomir Jovevski dhe në vendin e tij erdhi Ljupço Kocevski.

Megjithatë, prokuroria ka arritur të angazhojë 14 prokurorë të rinj, me çka numri i përgjithshëm i tyre krahasuar me vitin 2022 është rritur për 5.

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut në analizën e saj të kapaciteteve të prokurorisë publike, duke marrë parasysh hyrjen në fuqi të Ligjit për Procedurë Penale dhe rolin e prokurorit publik në procedurë penale, i cili parasheh zgjerimin e kompetencave të prokurorit publik në procedurë, konstatoi se është e nevojshme të përforcohen kapacitetet e prokurorive publike me prokurorë publikë, shërbim profesional të prokurorisë publike dhe punonjës teknik, thuhet në raport.

Në të gjitha prokuroritë punojnë vetëm gjashtë informaticientë

Gjithashtu, theksohet edhe mungesa e kuadrove në fushën e teknologjisë informatike dhe të komunikimit. Numri i TI profesionistëve jo vetëm që është shumë i vogël, por edhe për shpalljet për punësimin e punonjësve të rinj në këto pozita nuk ka interes.

“Kjo është edhe më e rëndësishme për shkak se vazhdimisht ka nevojë për përfshirjen e zgjidhjeve të reja softuerike dhe sistemeve komplekse që duhet të mundësojnë menaxhimin elektronik të rasteve dhe interoperabilitetin ndërinstitucional,” thuhet në raport.

Në të thuhet edhe se në nivel të të gjitha prokurorive publike në vitin 2023 janë plotësuar gjithsej vetëm 6 pozita të profesionistëve të TI-së, gjë që nuk i plotëson aspak nevojat e prokurorive publike për profesionistë të tillë, të cilët janë të nevojshëm për mbajtjen e sistemit elektronik të menaxhimit të lëndëve, por edhe për funksionimin normal të pajisjeve në qendrat hetimore.

“Problem shtesë është edhe interesimi i dobët për të aplikuar për këto pozita në shpalljet e publikuara nga prokuroritë publike”, thuhet në raport.

Është evident edhe problemi i mungesës së administratës, për shkak se  një punonjës kryen njëkohësisht detyrat e regjistruesit, kontabilistit dhe dorëzuesit.

“Kjo, nga ana tjetër, bart me vete një numër të madh rreziqesh në drejtim të ekzekutimit efektiv dhe efikas të detyrave të punës. Këtu duhet theksuar nevoja e vazhdueshme për trajnime të rregullta për përmirësimin dhe zhvillimin e aftësive shtesë tek burimet ekzistuese njerëzore”, thuhet në raport.

Buxheti i miratuar për vitin 2023 për prokuroritë ishte rreth gjysma e atij që ishte kërkuar, ndërsa në përgjithësi përfaqëson 0,2 përqind të buxhetit të shtetit.

Është e nevojshme të sigurohen burimet e nevojshme financiare që të mos vihet në pikëpyetje kryerja e funksionit dhe për të mundësuar funksionim normal të prokurorive. Në kushte të një rritjeje të vazhdueshme të shpenzimeve mbi të gjitha bazat, nga shërbimet komunale e deri te shpenzimet që kanë të bëjnë me ekspertizën dhe zbatimin e drejtpërdrejtë të Ligjit për Procedurë Penale, buxheti i Prokurorisë Publike nuk i plotëson këto nevoja. Ministria e Financave duhet të heqë dorë nga mekanizmat e kontrollit të buxhetit tashmë të miratuar dhe për shpenzimin e mjeteve të vendosë dhe të përgjigjet prokuroria publike, thuhet në raport.

Rebalansi i buxhetit e rrezikon edhe më shumë punën e prokurorive

Me rebalansin e ri të buxhetit për vitin 2024, paratë e parashikuara për gjyqësinë, përfshirë këtu edhe prokuroritë, reduktohen në mënyrë drastike.

Prokurori publik Kocevski, gjatë fjalimit të tij drejtuar Komisionit për financim dhe buxhet, tha se zvogëlimi i buxhetit, i cili tashmë paraqet vetëm gjysmën e mjeteve të parapara me ligj, e rrezikon edhe më shumë punën e prokurorive.

Aq më tepër që një pjesë e shkurtimeve (80.000 euro) bëjnë pjesë pikërisht në pjesën për mirëmbajtjen e vazhdueshme të sistemeve, duke përfshirë këtu sistemin hardware dhe softuer dhe objektet e prokurorive.

Sipas Raportit Vjetor gjatë vitit 2023 numri i kallëzimeve penale në prokuroritë themelore ka qenë më i vogël, por kjo kryesisht për shkak të grevës disamujore të administratës së prokurorisë publike, kur janë pranuar vetëm kallëzimet urgjente.

Prokuroritë themelore publike në vend vitin e kaluar kanë vepruar kundër gjithsej 36.227 kryerësve të veprave penale, prej të cilëve kallëzime të reja janë pranuar ndaj gjithsej 23.726 kryerësve të veprave penale.

Në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit numri i kryerësve të denoncuar të moshës madhore në vitin 2023 është rritur për 21,5% krahasuar me vitin 2022.

Rikujojmë se VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për ta mbrojtur atë nga ndikimi i padrejtë mbeten një shqetësim serioz. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të niveleve të larta. Masat legjislative kanë rritur masat mbrojtëse ligjore për mbrojtjen e gazetarëve, megjithatë janë vërejtur kërcënime dhe akte dhune ndaj gazetarëve. Kjo është pasqyra e përgjithshme e raportit më të fundit për vendin i Komisioni Evropian.