RMV e tërhoqi para kohe ambasadorin në Çeki
Ambasadori i Maqedonisë së veriut në Çeki, Sashko Todorovski, është tërhequr nga funksioni për shkak të konstatimit të parregullsive në kryerjen e mandatit të tij, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, në takim me gazetarët, njofton Portalb.mk.
Todorovski, siç tha Osmani, është tërhequr në mes të mandatit.
“Të njoftoj se kemi ambasador të tërhequr në mes të mandatit për shkak të parregullsive të konstatuara në kuadër të kryerjes së mandatit të tij”, tha Osmani.
I pyetur se për cilin ambasador bëhet fjalë, osmani tha se “Sashko Todorv, është kthyer nga Praga, Çeki”.
Në pyetje shtesë për të sqaruar konkretisht pse është tërhequr, Osmani tha se, mes tjerash, është bërë fjalë edhe për paraqitje të rrejshme të bashkëshortes së tij si “atashe kulturore” dhe nuk i ka respektuar instruksionet që kanë ardhur nga MPJ.
Bashkëshortja e ambasadorit Todorovski është profesoresha dhe aktivistja, Mirjana Najçevska.
Ajo në një status në Facebook, thotë se bashkëshorti i saj ka dhënë dorëheqje.
“Shërbëtori i Ali Ahmetit i cili prezantohet si ministër i Punëve të Jashtme filloi fushatë kundër bashkëshortit tim për shkak të kritikave të mia si profesor dhe ekspert dhe për shkak të papajtueshmërisë së bashkëshortit tim si ambasador në Pragë me mënyrën e funksionimit të Ministrisë, të cilin Osmani e ka privatizuar. Bashkëshorti im nuk është pajtuar me kërkesën e Osmanit që (i cili vetë ka deklaruar se përgjigjet vetëm para Ali Ahmetit) ta njoftojë atë dhe vetëm atë në bazë ditore dhe në komunikim privat jashtë kanaleve të Ministrisë, duke anashkaluar Qeverinë dhe presidentin e shtetit për ndodhitë në shtetin ku është vendosur si ambasador”, shkruan Najçevska.
Ajo shton se Osmani e shkel Kushtetutën dhe ligjet që bashkëshorti i saj si profesionist nuk mund t’i tolerojë.
Najçevska thekson se bashkëshortët dhe bashkëshortet e ambasadorëve marrin mjete në lartësi prej 10% të pagës së ambasadorëve që të kryejnë detyra diplomatike të cilat ua jep ambasadori.
Todorovski është emëruar ambasador në Pragë në fillim të vitit 2021, bashkë me shtatë kolegë tjerë, pasi që u mbaruan procedurat për emërimin e tyre.
Partia opozitare VMRO-DPMNE këto ditë ka dalë me disa emra, për të cilët thekson se do të jenë ambasadorët e rinj. Në mesin e tyre janë emrat e ish ministrit të Drejtësisë, Nikolla Tupançevski dhe ish kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.