RMV, deri të enjten do të mund të aplikohet për marrjen me qira të tokës shtetërore bujqësore

Ministria e Bujqësisë deri më 8 shkurt do të pranojë aplikime në katër Konkurset që mundësojnë marrjen me qira të tokës shtetërore për bujqësi deri 3 hektarë, transmeton Portalb.mk.

“Janë shpallur katër thirrje publike për marrjen me qira të tokës bujqësore deri 3 hektarë, të shpërndara në 34 rajone dhe 878 komuna kadastrale. Përmes këtyre katër thirrjeve përfshihen toka bujqësore në gjithë fshatrat nëpër shtete, gjegjësisht thirrja përfshin sipërfaqet jashtë qytetit”, njoftoi Ministria e Bujqësisë.

Katër thirrjet nga Ministria ishin shpallur më 10 janar, ndërsa të drejtë aplikimi kanë personat fizik dhe juridik, vendor dhe të huaj. Më 9 shkurt në hapësirat e Ministrisë publikisht do të hapen aplikimet.

“Si Ministri, qëllimi jonë, gjithë këto vite ka qenë të vendosim në shfrytëzim për bujqit çdo sipërfaqe bujqësore të përpunuara dhe në funksion të prodhimit të ushqimit vendor”, vlerësoi Ministria.

Varësisht nga kultura bujqësore që do të kultivohet, toka do të jetë për shfrytëzim nga 15 deri 70 vjet.