RMV, çmimet e derivateve të naftës do të pësojnë ndryshime në mesnatë

Nga mesnata, çmimet me pakicë të benzinës Eurosuper BS-95 dhe Eurosuper BS-98 do të rriten për një denar për litër. Nga ana tjetër, çmimet e Eurodieselit (D-E V) dhe vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) do të rriten për gjysmë denari për litër, transmeton Portalb.mk.

Kështu njoftoi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE), nga ku thonë se çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS po rritet për 0,626 denarë për kilogram.

“Nga sonte në mesnatë çmimet maksimale për benzinën motorike-Eurosuper BS-95 do të jenë 84 denarë për litër, për benzinënEurosuper BS-98 86 denarë për litër, për dizelin BS (D-E V) 77 denarë për litër, për vajin ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) është 75,50 denarë për litër, mazuti M-1 NS është 48,634 denarë për kilogram”, njoftoi KRRE.

Shitësit me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës dhe karburanteve të transportit mund të vendosin çmimet e produkteve individuale të naftës dhe karburanteve të transportit më të ulëta se çmimet më të larta të përcaktuara.