Mundësi Abdulaziz Azizi nga KM Shkupi ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në në Kampionatin Evropian U15, ku edhe fitoi medalje. Nga KM Shkupi kanë thënë se me këtë, Azizi ka shkruar historinë duke i sjellë KM Shkupit medaljen e parë evropiane në historinë e klubit, njëkohësisht duke realizuar edhe një sukses të madh për Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Me paraqitje të shkëlqyera, luftë të madhe dhe përkushtim në çdo ndeshje, Abdulazizi arriti të ngjitet në podiumin evropian dhe të vendosë emrin e tij në historinë e klubit. Ky rezultat është shpërblim për punën dhe sakrificën e tij ndër vite dhe një motiv i madh për gjeneratat e reja të mundësve. Medalja e parë evropiane për KM Shkupi mban emrin e Abdulaziz Azizit!”, thuhet në njoftimin e klubit.
Nga KM Shkupi kanë shprehur falënderime edhe ndaj trajnerëve të sportistit, Jasin Rexhallari, Bunjamin Ebipi, Irfan Rexhallari dhe Ubejd Fuga për punën dhe kontributin e tyre në këtë arritje.