RMV, 56 raste të reja të kollës së keqe janë regjistruar javën e kaluar

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) nga 23 deri më 29 shkurt ka regjistruar 56 raste të reja të kollës së keqe, prej të cilëve 54 janë në Shkup, ndërsa nga një në Strumicë dhe në Dibër, njofton Portalb.mk.

Të infektuarit janë të moshës nga 0 deri në 70 vjeç, ndërsa numri më i madh janë nga grupmoshat fëmijë nga 10 deri në 14 vjeç.

Përfundimisht me 29 shkurtin, në vend janë paraqitur gjithsej 123 raste të kollës së keqe me incidencë nga 6,7/100 000 banorë. Pjesa më e madhe e të infektuarve (109) janë në Shkup, pesë në Tetovë, katër në Kumanovë, dy në Gostivar dhe nga një rast është regjistruar nga Struga, Strumica dhe Dibra.

Nga gjithsej 123 persona tek të cilët është regjistruar kolla e keqe, 77 nuk kanë qenë të vaksinuar, nuk kanë qenë tërësisht të vaksinuar në pajtueshmëri të moshës ose nuk kanë dëshmi për vaksinim. Nga numri i përgjithshëm i të sëmurëve, janë hospitalizuar 27 persona, ndërsa 22 prej tyre janë fëmijë të moshës deri në katër vjeç.

Më 2 shkurt, Komisioni për sëmundje infektive ka mbajtur mbledhje të rregullt në të cilën është diskutuar për gjendjen aktuale me infeksionet virale, akute-respiratore dhe kollën e madhe, duke propozuar shpalljen e epidemisë në qytetin e Shkupit. Për tejkalimin e kësaj gjendje, Komisioni kishte rekomanduar disa masa për mbrojtjen e qytetarëve nga kjo sëmundje, duke theksuar nevojën për vaksinim.

Kujtojmë se shenjat e para të kollës së madhe janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Rreth një javë më pas, personi mund të ketë sulme të kollës që janë aq të rënda sa që lëshojnë një tingull të lartë midis kollitjeve ndërsa përpiqen të marrin frymë.