RMV, 50 raste të reja me kollë të madhe për vetëm një javë, 9 prej tyre janë shtruar në spital

Në periudhën nga 29 marsi deri më 4 prill janë raportuar 50 raste të reja me kollë të madhe, njoftoi sot Instituti për Shëndet Publik (IShP). Numri më i madh i rasteve është raportuar në Shkup (n=34), ndërsa raste janë raportuar edhe në Manastir, Tetovë dhe nga një rast në Gostivar, Kratovë, Veles dhe Gjevgjeli, transmeton Portalb.mk.

“Mosha e pacientëve varion nga 1 muaj deri në 52 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha deri në 4 vjeç. Nga 50 rastet e reja, 9 janë shtruar në spital”, njofton IShP.

Nëse shikoni të dhënat kumulative, deri më 4 prill në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 399 raste me kollë të madhe. Numri më i madh i banorëve jetojnë në Shkup – 317, nga 16 komuna të ndryshme. Pacientët janë të moshës nga 1 muaj deri në 78 vjeç. Numri më i madh i pacientëve i përket grupmoshës nga 10 deri në 14 vjeç.

Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara (399), 239 raste nuk janë vaksinuar, nuk janë vaksinuar plotësisht sipas moshës ose nuk ka dëshmi të vaksinimit. Nga rastet që janë vaksinuar plotësisht, koha mesatare e kaluar nga doza e fundit e vaksinës deri në sëmundje është 10,9 vjet.

“Nga të sëmurët, 58 janë shtruar në spital, 49 prej tyre nën 4 vjeç. Nga shërbimet e vaksinimit në Shkup është konstatuar se janë gjetur 15.845 fëmijë që nuk kanë marrë. Prej tyre janë vaksinuar 9798. Nga të vaksinuarit, numri dhe përqindja më e madhe ka marrë rivaksinimin e parë (5213)”, thuhet në raportin e IShP-së.

Thirrjet e mjekëve dhe epidemiologëve ishin që fëmijët të vaksinohen me vaksinën Di-Te-Per. Kristina Stavridis nga Instituti i Shëndetit Publik, së fundi deklaroi se prindërit duhet t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe nëse kanë humbur një dozë të vaksinës ose nuk e kanë vaksinuar fare, menjëherë të lajmërohen në qendrën e vaksinimit dhe ta vaksinojnë fëmijën sipas kalendarit të vaksinimit.