RMV, 170 pacientë presin që dikush t’u dhurojë veshkë

Kryetari i shoqatës Nefron, Dushko Gjorgiev, thotë se trajtimi me dializë ka përparuar, ndërsa shqetësim në RMV mbetet numri i ulët i dhuruesve të veshkave, njofton TV21.

Për momentin rreth 150 deri 170 persona presin që dikush t’u dhurojë veshkë për transplantim. Bëhet fjalë për donatorë të cilët vendosin për dhurim të veshkave pas vdekjes.

“Transplantimi nga donator i njohur, nga i afërm i familjes, “living donor”, rrjedh normalisht dhe këtu pritja është derisa bëhen të gjitha inspektimet, një deri dy muaj. Mirëpo transplantimi kadaverik edhe pse gjatë Kovidit kishte një ngritje, ende nuk mjafton dhe ende kemi numër të madh të pacientëve të cilët presin organ sepse në farefisin e tyre, në familjen e afërm nuk kanë donatorë. Ata presin nga donatorë të vdekur”, tha kryetari i Shoqatës “Nefron” Dushko Gjorgiev.

Personat me dializë rrëfejnë se jetën nuk e kanë aspak të lehtë, dhe se kanë shumë kufizime, si për shembull nuk mund të konsumojnë shumë lëngje, por tashmë janë mësuar me këtë.