Rinia e fshatit mori punët në duar të veta për pastrimin e mbeturinave të Vaksincës

Problemi me mini-deponitë me mbeturina në hyrje të fshatit Vaksincë dhe përgjatë rrugës për në Sllupçan mbetet ende i pazgjidhur. Për këtë arsye, rinia e fshatit ka apeluar përmes Facebook-ut për një aksion pastrimi të shtunën në orën 09:30. Ky apel ka zgjuar edhe autoritetet komunale të kyçen në aksion, transmeton Portalb.mk.

Pesë ditë pasi Portalb.mk raportoi për rastin, banorët ende vazhdojnë të kërkojnë pastrimin e menjëhershëm të mbeturinave në fshatin Vaksincë për shkak të pamjes së shëmtuar dhe rrezikut për mjedisin. Të lodhur nga kjo gjendje, rinia e fshatit ka thirrë banorët dhe ka kërkuar mbështetjen e Ndërmarrjes Publike Komunale “Pisha” për të pastruar vendin.

“Rinia e fshatit Vaksincë fton të gjithë bashkëfshatarët ditën e Shtunë, ora 09:30, me vendtakim tek Kroni i Kolës, në një aksion të madh pastrimi, nga Prroi i Gurubincës deri tek Prroi i Rekës së Thatë. Ky aksion përkrahet nga Ndërmarrja “Pisha”, Komuna e Likovës, si dhe nga bashkëfshatarët tanë me bagerë, kamionë e mjete pune”, thuhet në thirrjen e rinisë së fshatit 

Organizatorët theksojnë se ky aksion është një shembull i përbashkët që tregon nevojën për t’u bashkuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit jetësor. 

Për këtë aksion pastrimi konfirmuan për Portalb.mk edhe nga Inspektorati Komunal i Komunës së Likovës. 

Kontaktuam edhe Valdete Ramadani drejtoreshën  e  Ndërmarrjes Publike Komunale “Pisha” , por deri në publikimin e këtij teksti  nuk morëm përgjigje. 

Kujtojmë se me 21 gusht, Portalb.mk vizitoi fshatin Vaksincë në Komunën e Likovës, ku ishin krijuar mini-deponi që mbuluan fushat me mbeturina.

Kujtojmë gjithashtu se në nëntor të vitit 2024, në Liqenin e Gllazhnjës në Likovë u krijua një deponi e egër e stërmbushur me mbeturina, dhe pavarësisht premtimeve nga Inspektorati Komunal për pastrim, nuk u ndërmorën masa. 

Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës. Si rezultat i kësaj, më 27 mars 2025 u bë pastrimi i deponisë së egër në fshatin Sllupçan nga NPK ”Pisha”, kurse 25 gusht 2025 filloi pastrimi i deponisë në Nikushtak të Komunës së Likovës, njoftoi ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti.