Rikthehen kufizimet në rrugën nga Shkupi për në kufirin me Kosovën

Rruga kryesore nga Shkupi për në pikën kufitar në Bllacë, do të funksionon me kufizime pasi prej nesër do të kthehen punimet në tunel, punime që prite të zgjasin deri në tetor, transmeton Portalb.mk.

“Prej 11 shtatorit do vendoset regjimi i përkohshëm i komunikacionit në tunelin në segmentin km 6+326 deri km 6+366, në pjesën e djathtë të tunelit, në drejtimin Bllacë- Shkup”, njoftojnë nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë.

Në njoftim theksohet që komunikacioni do të rregullohet përsëri me ndihmën e semaforit.

Ndryshe, punimet për renovimin e këtij tuneli kanë filluar para disa muajve, duke shkaktuar pengesa të mëdha në këtë pjesë të komunikacionit. Ndërkohë në këtë pjesë ndodhi edhe një aksident ku ndërruan jetën tre anëtarë të një familjeje.

Për shkak këtyre pengesave dhe fluksit të madh të mërgimtarëve, autoritetet vendosën të hapin tunelin përkohësisht, duke paralajmëruar që ky tunel do të kthehet përsëri në shtator, ndërsa punimet pritet të mbarojnë në tetor.