Rezistenca e qenies sipas Sabatos (1)

Rezistenca nga Ernesto Sabato, që përmban pesë letra testamentare dhe një epilog, është libër kundër globalizimit dhe racionalitetit të pashpjegueshëm që e ka pushtuar botën moderne, ku njeriu orientohet drejt gjërave utilitare e sipërfaqësore dhe i harron vlerat thelbësore jetësore, të cilat i japin kuptim ekzistencës njerëzore. [Ernesto Sabato, Rezistenca, përktheu: Fatbardha Statovci, Pema, Prishtinë, 2022].

Sprovat janë shkruar nga shkrimtari që krijoi vetëm “kur ishte i trishtuar”; që besoi se “arti lind gjithmonë nga mospërshtatja me botën, nga ankthi dhe pakënaqësia jonë”; se ishte “dhuratë që e shëron shpirtin nga dështimet e hallet” dhe na inkurajon “ta përmbushim utopinë për të cilën jemi të destinuar”.

Rezistenca është libër mbi braktisjen, tëhuasimin, narcizmin, nënshtrimin, nihilizmin, dëshpërimin metafizik, mungesën e komunikimit dhe të dialogut, konkurrencën mizore, marramendjen apokaliptike, rreziqet kanosëse për njerëzimin, për krizën e thellë të shpirtit, degradimin e vlerave, sundimin dhe çnjerëzimin e njeriut nga makina e nga teknologjia, masivizimin shkatërrues, mediet tantalizuese, mbivlerësimin e argëtimit, atrofizimin e kapaciteteve shpirtërore dhe përjashtimin e manifestimeve të thella të shpirtit.

Sipas Sabatos, në botën moderne ka humbur respekti për pleqtë. Turpi është bërë vlerë e humbur. Gjykatat kanë degraduar. Pushteti është larguar nga solidariteti. Demokracia është shpërfytyruar. Diversiteti luftohet. Korrupsioni instalohet në vend se të luftohet. Kudo vlojnë kazanët e dëshpërimit dhe të ankthit. Njeriu robotizohet me shpejtësi në megapolisin e çmendur. Jeta asfiksohet në vend se të ndriçohet. Bota është më shumë jashtë sesa brenda zemrave njerëzore. E keqja triumfon mbi aktin e vërtetë krijues – dashurinë. Humben dhe zhvlerësohen “papiruset e përjetësisë”. Humbet ndjenja ndaj tjetrit. Tokësorja synon të mbizotërojë hyjnoren dhe transcendentalen. Natyra dëmtohet pamëshirshëm…

Sprovat janë ftesë drejtuar njerëzimit që t’u rikthehet vlerave më të larta shpirtërore, për sa kohë orientohet vetëm drejt përfitimit; drejt zhvillimeve marramendëse teknologjike; përderisa kemi triumf të virtuales mbi realen dhe shndërrim të njeriut në qenie indiferente kundrejt shkatërrimit të paralajmëruar dhe të parashikuar.

Shpëtimi mund të arrihet nëpërmjet “rezistencës së qenies” kundër rrënimit moral e shpirtëror. Nga ky rrënim mund të na shpëtojë rikthimi te fëmijëria, si ishull pafajësie, ku përjetojmë çastet më të jashtëzakonshme të jetës dhe i gjejmë vlerat e harruara që i mungojnë botës moderne, si dhe tek afërsia ndërnjerëzore, dialogu, humanizmi, besimi, rikthimi te vlerat e komunitetit dhe të solidaritetit.

Nëpërmjet “rezistencës së qenies”, njeriu mund t’i kundërvihet robërisë, nënshtrimit, ikjes nga liria, kolonizimit, mashtrimit, rrenës, rehatisë së rrejshme, jetës virtuale, gjërave kalimtare, frikës artificiale, klonizimit, robotizimit dhe globalizimit që e zhduk larminë kulturore.

Në sprovën e parë, “E vogla dhe e madhja”, flitet për televizionin si monotoni e mërzitje” dhe si “makinë tantalizuese” që na shuan dëshirën për gjërat esenciale; që “mpin ndjeshmërinë dhe mendjen”; që dëmton shpirtin; që “ngrin shqisat”; që “botën e bën më të zhurmshme” dhe na dëmton kujtesën.

“botën e sëmurë dhe të dehumanizuar”, ku ndodh depersonalizimi, robotizimi dhe robërimi i njeriut, ikim nga jeta e vërtetë, nga familja, nga të afërmit dhe bëhemi pjesë e botës ku ndjehet gjithnjë e më pak prania njerëzore dhe mungon respekti për të pafuqishmin. Në këtë botë ikim nga liria, e cila rrezikohet sa herë njeriu bëhet pjesë e turmës dhe nuk ndjehet përgjegjës për të mirën e përgjithshme.

“Besoj se liria na është destinuar për ta përmbushur një mision në jetë; dhe pa liri kurrgjë s’ka vlerë. Për më tepër, besoj se liria që e kemi në dorë është më e madhe sesa ajo që guxojmë ta jetojmë. Mjafton të lexojmë historinë, këtë mësuese të madhe, për të parë se sa rrugë ka mundur të hapë njeriu me duart e tij, sa shumë qenia njerëzore e ka modifikuar rrjedhën e ngjarjeve. Me përpjekje, me dashuri, me fanatizëm”, shkroi ai.

Bota moderne rrezikohet edhe nga “sëmundjet moderne”, që universi “i përdor për ta tronditur këtë specie kryelartë njerëzore”.

Shpëtimi duhet ta kërkojmë te gjërat në dukje të parëndësishme, që i japin kuptim jetës dhe na bëjnë më të afërt e më njerëzorë.

“Besoj te kafet, te dialogu, besoj në dinjitetin e personit, në lirinë. Ndiej nostalgji, gati ankth, ndaj një të Pafund-meje, por njerëzore, të kutit tonë”.

Këtë ngrohtësi njerëzore nuk e ofron megapolisi, sepse aty njeriu humbet në turmë. (Vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.