Revolucioni i UEFA, drejt shkrirjes Champions League

Kanë kaluar vetëm dy vjet nga përpjekja e dështuar e klubeve më të rëndësishme në kontinent për të nisur SuperLigën, një turne i përbërë nga anëtarë të përhershëm që synonte të mblidhte shumë më tepër të ardhura sesa ato të garantuara nga UEFA, raporton Klan.

Që nga Prilli 2021, situata ka evoluar, me UEFA-n që ka vendosur të revolucionarizojë formatin e Ligës së Kampionëve. Sipas asaj që u zbulua nga spanjollja El Pais, vetë UEFA në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Klubeve po përpunon idenë e Superligës së saj me 3 seri me nga 18 ekipe secila duke i dhënë fund kështu kupave të Evropës, përfshirë Ligën e Kampionëve.

Garat e reja do të quhen SuperLeague, Lega Europa dhe Lega Aspirante, me ekipe që bien dhe ngjiten në kategori. Këto kompeticione mendohet të nisin nga fundi i sezonit 2024 që përkon me periudhën e përfundimit të të drejtave të transmetimit të shitura tashmë.

Flitet se fitimi i titullit, ose një pozicion i mirë në ligat kombëtare mund të vlejë një bonus në para dhe ndoshta më shumë pikë në renditjen e Superligës. Një nga pikat e rëndësishme është edhe ditët e zhvillimit të ndeshjeve. Fundjava mund të lihet për garat europianë, ndërsa mesjavë për kampionatet kombëtare. Projekti është në tryezë. Mbetet të kuptohet si do të përshtaten së bashku pjesët e “puzzle”.