Reportazh nga Gjermania: Babadimri në autobus, kur transporti publik ju shërben qytetarëve (Foto)

“Të shkosh në punë me automobilin tënd është e pashembullt, madje e turpshme” – thotë Aleksandra, një e re nga Shkupi, e cila tashmë disa vite jeton dhe punon në Hamburg të Gjermanisë, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

Qyteti me 1,8 milion banorë pulson gjatë gjithë ditës dhe natës. Lëvizshmëria e banorëve të këtij qyteti të dytë më të madh në Gjermani mundësohet nga transporti i përsosur publik, nëntokësor dhe mbitokësor. “Deutschland Ticket”-i i famshëm i hap dyert për të gjitha llojet e transportit në të gjithë vendin, duke përfshirë trenat rajonalë, gjegjësisht transportin ndërmjet qyteteve.

Konkretisht, për përdorimin e transportit publik në vetë qytetin, bileta mujore kushton 78 euro dhe i përfshin të gjitha llojet e transportit, autobusët, trenat e famshëm “Uban” dhe “Sban”, si dhe transportin me anije, përveç trenave rajonalë. Alternativat e transportit janë të shumta.

Hamburg - Gjermani. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Hamburg – Gjermani. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Autobusët janë “me energji elektrike”, dhe mbërrijnë në stacionin e autobusëve çdo 4 deri në 15 minuta, varësisht nga zona dhe në çfarë ore të ditës funksionojnë. Pjesa e brendshme e autobusëve është përshtatur madje edhe për biçikletat, ka një vend të veçantë për to, po ashtu lejohen edhe kafshët shtëpiake, përveç orëve të mëngjesit dhe të pasdites, kur njerëzit shkojnë dhe kthehen nga puna.

Disa autobusë kanë edhe mini-biblioteka. Hyrja dhe dalja janë të “digjitalizuara”, nëpërmjet një butoni të posaçëm me të cilin pasagjeri njofton se duhet të zbresë në stacion. Autobusi me numër 183. Një pamje e pazakontë në një nga rrugët më të frekuentuara në qendër të qytetit. Pas timonit, Babadimri. Ai i përshëndeste të gjithë pasagjerët me buzëqeshje në fytyrë. Në nivel të qytetit ka rreth 120 linja autobusësh.

Shoferi i autobusit i veshur si Babadimër në Hamburg - Gjermani. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Shoferi i autobusit i veshur si Babadimër në Hamburg – Gjermani. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Trenat e famshëm “Uban” dhe “Sban”, nëntokësor dhe mbitokësor, janë një formë transporti e ngjashme me metronë. Në nivel të qytetit, trenat Uban dhe Sban operojnë në 4 linja secila dhe kanë shpejtësi të njëjtë – mbërrijnë në stacion për rreth 4 minuta, ndërsa distanca mesatare nga një stacion në tjetrin është maksimum 1,5 kilometra. Udhëtimi nga një stacion në tjetrin zgjat 2 minuta.

Pjesa e brendshme e trenave është plotësisht e modernizuar. Për secilin stacion ka informacion vizual dhe me zë, ndërsa lëvizja ndiqet në monitorë. Meqenëse këto janë “trena” me shumë vagonë dhe meqenëse qarkullojnë shumë shpesh, nuk ka tollovi dhe gjithmonë ka vende të lira për t’u ulur. Të gjitha pjesët e qytetit janë të lidhura me Uban dhe Sban. Në çdo stacion ka zyra biletash ku pasagjerët mund të blejnë bileta.

Biçikletat janë pjesë e transportit publik, përveç atyre private, ka edhe biçikleta të qytetit, që janë të disponueshme në “parkingjet publike të qytetit të destinuara për biçikleta”. Përveç trotuareve ku ka korsi biçikletash, biçikletat mund të voziten në bulevard, në korsi të posaçme trafiku të destinuara vetëm për biçiklistët.

Parkim biçikletash në Hamburg - Gjermani. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Parkim biçikletash në Hamburg – Gjermani. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Në qytet ka edhe automobila me qira (“rent-a-car”), të cilat janë të disponueshme përmes një aplikacioni të veçantë, në të njëjtën mënyrë siç merren me qira trotinetët. Automobilat me qira janë një opsion më i leverdishëm sesa automobilave personalë. Një kilometër kushton 0,80 cent, dhe në çmim është përfshirë karburanti dhe parkimi.

Nuk është e pazakontë që vetë kompanitë të blejnë ose të sigurojnë bileta transporti për punonjësit e tyre, dhe kjo qasje është pjesë e kulturës menaxheriale në këtë pjesë të Gjermanisë.

Një biletë njëjavore për transportin publik të qytetit kushton 38 euro, me të cilën turistët mund të udhëtojnë pa probleme dhe në mënyrë të rehatshme në çdo pjesë të qytetit duke përdorur të gjitha mënyrat e mundshme të transportit, madje edhe anijet.