Reportazh: A do ta “zbusë” qeveria tranzitore bullgare inflacionin, një litër vaj 1,8 euro, një kilogram domate 1,5 euro

Rroga minimale 477 euro ose 933 leva. Pension prej 300 eurosh. Qytetarët e Bullgarisë, vendi që mori karton të “kuq” në raportin e Bankës Qendrore Evropiane për hyrjen në Eurozonë, po përballen çdo ditë me cunami çmimesh. Ndërsa inflacioni e “gërryen” standardin e jetesës, fokusi është sërish te politika. Bullgaria fitoi qeveri të re tranzitore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Çmimet në dyqane dhe në restorante “të kripura”

“Kam punuar si shofer në vendet e BE-së për më shumë se 20 vjet. Tani e kam këtë dyqan, kryesisht për fruta, perime, vaj ushqimor dhe produkte të tjera ushqimore. Është shumë e vështirë të jetosh. Çmimet janë në rritje. Rrogat po rriten ngadalë. Është e vështirë”, thotë për Portalb.mk pronari në moshë të mesme i një marketi të vogël në qytetin e Bllagoevgradit. Ai thotë se frika nga një goditje e mëtejshme çmimesh po rritet pas njoftimeve dhe përpjekjeve të fundit të Bullgarisë për t’u bërë pjesë e bashkimit monetar evropian.

Çmimet e produkteve ushqimore në marketet në Bullgari, si qumështi, mishi, kafeja, produktet e ëmbëlsirave, janë më të larta se në Maqedoninë e Veriut. Kështu, 100 gramë kafe tradicionale kushton 1,5 euro, 250 gramë kërpudha në kavanoz shiten për 1,5 euro, 100 gramë akullore 1 euro, pure prej domatesh (salcë), 500 gramë kushtojnë gati 2 euro.

Produkte ushqimore në një market në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Produkte ushqimore në një market në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Ajo që i jep një goditje të rëndë standardit janë çmimet e produkteve ushqimore bazë së bashku me perimet dhe frutat. Një litër vaj gatimi kushton 1,8 euro, ndërsa një kilogram sheqer kushton 1,5 euro. Një kilogram domate në dyqane shitet për madje 2 euro.

Vaj në një market në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Vaj në një market në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Edhe çmimet e pijeve nëpër dyqane janë më të larta se në Maqedoninë e Veriut. Kështu, një kanaçe me pije të gazuara kushton rreth 90 cent, ndërsa gjysmë litri lëng pa gaz shitet për rreth 1 euro.

Megjithatë, çmimet e produkteve ushqimore variojnë në varësi të qytetit, përkatësisht vendndodhjes. Çmimet janë më të larta në markete dhe në restorante në vendet turistike. Në restorante, çmimi i një porcioni sallatë shkon deri në 10 leva, gjejgësisht 5,1 euro, një porcion me makarona dhe pica shitet për rreth 5 euro, ndërsa një porcion supë kushton 2,5 euro. Në kafene, një kafe-frape shitet për 1,8 euro, ndërsa një pije joalkoolike gati 3 euro.

Çmimet e pijeve në një lokal në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Çmimet e pijeve në një lokal në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Nga ana tjetër, qytetarët që marrin rrogë minimale dhe mesatare thonë se jetesa po bëhet më e vështirë për shkak të çmimeve të larta.

“Unë kam një rrogë minimale 933 leva (477 euro). Është e vështirë të jetosh vetëm me rrogë, e gjitha shpenzohet për ushqime dhe për fatura”, thotë një punonjës i një ndërmarrje publike komunale.

Produkte ushqimore në një market në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Produkte ushqimore në një market në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore Evropiane, theksohet se pikërisht inflacioni në Bullgari është një nga pengesat kryesore që ky vend të bëhet anëtari i 21-të i unionit monetar të BE-së.

“Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian jashtë eurozonës kanë bërë përparim të kufizuar në konvergjencën ekonomike me eurozonën që nga viti 2022. Çmimet në Bullgari po rriten me një normë vjetore prej 5,1 për qind, që është për 1,8 për qind më e lartë se sa do të duhej për t’u bashkuar me bashkimin valutor, tha BQE-ja, duke vlerësuar se inflacioni ka të ngjarë të “ulet gradualisht në muajt e ardhshëm”.

Britanikët dhe ukrainasit blejnë prona, pakistanezët punojnë…

Goditje çmimesh, ndryshime në tregun e punës dhe në biznesin e pasurive të patundshme. Qytetarët e Bullgarisë thonë se po përballen me probleme dhe ndryshime të mëdha.

Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

“Nga 660 euro deri në 1.000 euro kushton një metër katror për banesat e ndërtuara. Toka ndërtimore ofrohet me çmim prej mbi 130 euro për metër katror”

Kjo është një nga reklamat e shumta për shitjen e patundshmërive në vendin turistik Bansko, një nga destinacionet më të vizituara edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Sipas banorëve të Bansko, tregu i pasurive të patundshme po përjeton ndryshime.

“Në vitet e fundit, qytetarë të Britanisë dhe të Ukrainës kanë blerë banesa dhe apartamente këtu në Bansko”, thotë një punonjëse në një dyqan në Bansko.

Një nga Agjencitë për patundshmëri ofron banesë prej 43,74 metra katrorë për 28.900 euro si dhe një shtëpi të mobiluar në dy kate për 349.000 euro. Vlen të përmendet se ofrohet edhe tokë për ndërtimin e shtëpive dhe dhe mini-komplekseve rezidenciale, ndërsa çmimi i truallit është nga 130 euro e lart për metër katror.

Çmimet e patundshmërive në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Çmimet e patundshmërive në Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Përveç tregut të pasurive të patundshme, ndryshime ka edhe në tregun e fuqisë punëtore.

“Unë jam pensioniste, marr 300 euro pension. Më duhet të punoj edhe pas daljes në pension. Tani gjithçka ka ndryshuar. Fëmijët tanë shkojnë në vendet e zhvilluara, ndërsa tek ne vijnë punëtorë nga Pakistani”, thotë një grua pensioniste që punon në kuzhinën e një prej hoteleve.

Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Bullgari. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Bullgaria u bë sërish me qeveri kalimtare të kryesuar nga Dimitar Gllavçev. Turbulencat politike i kanë vënë në plan të dytë prioritetet ekonomike të vendit. Sipas disa vlerësimeve, Bullgaria do të duhej të bëhet pjesë e eurozonës vitin e ardhshëm, ndërsa anëtarësimin në bashkimin monetar, sipas hulumtimit të Eurobarometrit, e mbështesin 49 për qind e qytetarëve bullgarë.