Refik Ajeti në OpenMic për sfidat e personave në karrocë: Për një palë këpucë duhet t’i ecim disa dyer në institucione

Në episodin e tetë të OpenMic në Portalb flasim me Refik Ajetin nga Likova, ai është me aftësi të veçanta fizike ndërsa studion për psikologji.

Karroca nuk ka qenë pengesë që ai të mos vijojë studimet, ndonëse Universiteti i Tetovës nuk ia mundësoi kushtet që ai të studiojë aty, ai gjeti zgjidhje alternative në Universitetin Nënë Tereza.

“Arsyet nuk janë shumë të ditura edhe nga administrata e Universitetit të Tetovës, mirëpo nuk ka, drejtimi psikologji kanë thënë që nuk ka studentë të çrregullt për x arsye të cilat nuk dihen edhe nuk ka asnjë shpjegim të duhur ose ndonjë arsye shumë e fortë të jetë që në rregull edhe të vazhdosh”, tha Ajeti.

Ai sqaroi se edhe pavarësisht se nuk ia mundësuan që të jetë i çrregullt nuk ma mundësuan gjithashtu edhe ashensorin për studentët ta përdorë.

“Më detyronin në një farë forme, më detyronin në thonjëza kështu të ngjitem lartë në katin e tretë dhe të katërt përmes liftit të rektoratit ku e përdorin profesorët, aty nuk mu duke vetja që jam student por mu dukte vetja si pjesëtar i atyre, si një i punësuar i atyre”, tha Ajeti.

Në bisedë me të, ai sqaroi se dëshira për të studiuar psikologji i erdhi në vitin 2016 kur ishte me një spital në Turqi, ku 24 orë para operacionit mjeku i tha që puno me veten nëse do të kesh sukses në operacion.

“Siç dihet, meditimi që njihet në kulturën fetare tonën, përmes meditimit edhe duke i komunikuar vetes mesazhe shumë pozitive duke i thënë se ti mund të ja dalësh, operacioni do të shkojë shumë i suksesshëm, organizmi jot do ta përballojë edhe këtë operacion, vullnet, domethënë i kam dhënë mesazh secilit ind, secilit damar timit i kam dhënë një mesazh shumë pozitiv edhe ndikoj që nga 30% në 50% të jetë operacioni im i suksesshëm”, tha Ajeti.

Ai tregoi se pavarësisht se ka problematika me shputat, ai nget veturën e cila është e rregulluar që mundet të vozitet vetëm me kontroll të duarve.

Duke folur për sfidat me të cilat përballen personat me aftësi fizike të veçanta, ai tha se burokracia në RMV është një tmerr i vërtetë.

“Është një lodhje e panevojshme e cila mund të reduktohet ose të evitohet përmes një iniciative që mund ta marrin Ministria për Politikë dhe Punë Sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, shembull për ta krijuar një kartelë elektronike për personat me aftësi fizike të kufizuara, enkas domethënë, edhe për secilin person të ketë të dhënat e atij personi, numrin amë, emër, mbiemër edhe diagnozat e tyre. Edhe në bazë të diagnozave mos të mundohen të shkojnë çdo ditë ose çdo javë te mjeku amë për të marrë ndonjë recetë mjekësore se kanë nevojë për një hap apo për diçka tjetër, veç se dihet”, tha Ajeti.

Ai porositi të gjithë personat me aftësi fizike të veçanta që të ngrenë zërin e tyre sepse siç tha askush nuk do e ngrejë për ato.

“Nëse ju nuk e merrni mikrofonin për t’i treguar botës se edhe ju jeni në këtë botë, në këtë shtet, në këtë shoqëri, edhe ju mundeni të bëni diçka edhe pavarësisht se jeni në karrocë, ju mund të bëni diçka përmes intelektit tuaj, përmes dorës, përmes aftësisë fizike që e keni në dorë, forcës fizike që e keni në duart tuaja”, porositi Ajeti.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.