Redaksitë vendore RMV-Shqipëri zhvilluan takim të përbashkët për “Enciklopedinë Shqiptare”
Sot, në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, u mbajt takimi i redaksisë së Posaçme të Enciklopedisë Shqiptare të Maqedonisë së Veriut me drejtuesit e Redaksisë Vendore të Enciklopedisë Shqiptare, të përfaqësuar nga Shaban Sinani – redaktor i Redaksisë Vendore dhe Andreas Dushi – drejtor i Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike në Tiranë, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë rast u zhvillua një diskutim i gjatë dhe i frytshëm për fjalësin e propozuar nga Redaksia e Posaçme e RMV-së, duke dhënë propozime, ide e sugjerime për ngritjen cilësore të këtij projekti madhor kombëtar”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e Redaksisë Vendore të Tiranës shpjeguan se tashmë fjalësi është në përfundim e sipër dhe se shumë shpejt do të jetë gati edhe versioni përfundimtar, që pastaj të vazhdojë procesi i hartimit të artikujve, i redaktimeve të nevojshme, deri në publikimin e tyre.

Sipas kalendarit të punës, vitin tjetër pritet të përfundojë versioni elektronik i Enciklopedisë Shqiptare.
Kujtojmë se gjatë javës së fundit të muajit mars të vitit 2025 në Vërmicë (Prizren) të Kosovës u zhvillua mbledhja e dy redaksive vendore Kosovë -Shqipëri, për fazën përfundimtare të shqyrtimit e miratimit të fjalësit të projektit madhor “Enciklopedia shqiptare”.