Rama vizitë në Kosovë, Osmani: Bashkë, për të shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar foto nga takimi me kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet në Kosovë në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, transmeton TCH.

“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama!”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Prishtinë me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Kryeministri Rama dhe Osmani po zhvillojnë një takim kokë më kokë.

Më pas, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.