Rama premtoi muzeun e artit islam dhe muzeun hebraik brenda një hapësire në Tiranë
Pas “Refleksioneve” dhe “Kurbanit”, kryeministri Edi Rama promovoi librin e tij më të ri, “Në sofrën e Hënës”. Një përmbledhje e fjalëve dhe reflektimeve të mbajtura prej tij gjatë mbrëmjeve tradicionale të iftarit të organizuara ndër vite, për të cilën tha se ideja e botimit i kishte ardhur nga disa miq të tij myslimanë, raporton Klan.
Sipas kryeministrit, tradita e iftarit përfaqëson jo vetëm një ritual fetar, por edhe një moment të rëndësishëm bashkimi dhe dialogu shoqëror, që pasqyron vlerat e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Shqipëri.
“Ka qenë shtysa e disa miqve myslimanë që agjërojnë që t’i përmblidhja këto fjalë në këtë libër. Unë e kam thënë qysh në fillim, në iftarin e parë ftova disa njerëz që nuk ishin mësuar ndonjëherë; disa erdhën, disa nuk erdhën. Njëri më çoi një mesazh shumë të egër kundër faktit që unë po organizoja një iftar në Kryeministri, se Kryeministria është laike dhe ‘ku di unë’, etj. Më shpalli ateizmin fuqishëm. Unë besoj që iftari është edhe për ateistët. Sofra është edhe për ateistët”, tha Rama.
Kryeministri premtoi ngritjen e një muzeu të artit islam në Shqipëri, në bashkëpunim me fondacionin “Konak”.
“Do të ngrihet tek ish-sarajet e famshme të Toptanëve, pranë Kalasë së Tiranës dhe ngjitur me Parlamentin. Njëkohësisht, po në atë oaz do të ngrohet edhe muzeu tjetër i quajtur Muzeu Besa, që do t’i bëjë jehonë marrëdhënies sonë me hebrenjtë dhe që do të sjellë në jetën tonë kulturën bashkëkohore hebraike. Kështu që, në njëfarë mënyre, plotësohet një mozaik”.
Vepra “Në sofrën e Hënës” sjell në vëmendje dimensionin kulturor, social dhe shpirtëror të tryezës së iftarit, si një hapësirë që bashkon njerëz nga besime dhe përvoja të ndryshme, përtej dallimeve që mund t’i ndajnë në jetën e përditshme.
Parathënien e këtij libri e ka shkruar një ndër përfaqësuesit e kurorës së Emirateve të Bashkuara, ministri i Jashtëm Sheiku Abdullah bin Zayed, dhe pasthënien e tij Besnik Sinani.