Sonte do të ketë edhe një seancë, Kuvendi i Kosovës s’i kaloi ndryshimet kushtetuese që presidenti të zgjedhet nga populli
Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani – që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit e jo nga Kuvendi – nuk kanë kaluar, raporton Radio Evropa e Lirë.
Të pranishëm ishin vetëm 93, përfshirë 9 nga komuniteti joshumicë, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Për kalimin e tyre nevojiteshin votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet joshumicë.
Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 vende.
Prandaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk i hodhi fare në votim amendamentet dhe tha se do të ketë seancë të re që pritet të fillojë prej orës 22:00.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij i mbështet në parim dhe i voton këto amendamente.
Por, sipas tij, këto nuk ndryshime nuk janë miratuar për tërë këto vite si shkak i mungesës së votave nga deputetët e pakicës.
“Edhe po t’i kalojmë, duket se nuk i kemi pakicat këtu”, tha ai.
Në parim mbështetje ka dhënë edhe kryetari i PDK-s, Bedri Hamza.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, mungon në seancën e sotme, një mungesë e rëndësishme për atë çfarë pritet në vijim.
Për të kaluar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit të vendit përmes votës së popullit, nevojiten edhe ca vota nga Lista Serbe.
Lista Serbe ka 9 prej 20 vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë dhe kalimi i amendamenteve kërkon 2/3 e votave të këtyre komuniteteve, që nënkupton të paktën tri vota nga kjo parti.