Klekovski: Shteti do të mbulojë gjashtë fertilizime in vitro, kërkesat do të miratohen për dy javë në vend të tre muajve

Me shpenzime të mbuluara nga shteti, nga tani do të mund të realizohen gjashtë fertilizime in vitro, në vend të tre, siç ishte deri më tani  dhe ato do të jenë falas për qytetarët, deklaroi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për disa ndryshime në Ligjin për mbrojtjen shëndetësore të popullsisë, të miratuara më 10 korrik në Kuvend, me iniciativë të një grupi deputetësh në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin.

“Ndryshimi i parë është se fertilizimi i asistuar mjekësor (i njohur si in vitro) bëhet pjesë e paketës bazë të shërbimeve shëndetësore. Numri i tentimeve rritet nga tre në gjashtë. Ndryshimi i tretë është se hiqet bashkëpagesa për trajtimet in vitro – pra, këto trajtime janë plotësisht falas. Janë bërë edhe disa ndryshime në fond. E kemi shkurtuar afatin për miratimin e dokumenteve nga tre muaj në dy javë. Kjo është shumë e rëndësishme – tani kemi dy herë në javë komision që do të miratojë kërkesat për fertilizim të asistuar mjekësor. Gjithashtu, kemi reduktuar administratën dhe kemi futur digjitalizimin – komunikimi me aplikuesit është digjitalizuar dhe vauçeri do të dërgohet në mënyrë elektronike, jo më me postë, siç ndodhte më parë kur kishte raste të humbjes së dokumentit”, deklaroi Klekovski.

Vitin e kaluar ka pasur 1.495 kërkesa për fertilizim in vitro, ndërsa në tetë qendrat në vend ku është i disponueshëm ky trajtim janë realizuar 1.108 ndërhyrje, kryesisht për fëmijën e parë.

Drejtori Klekovski gjithashtu njoftoi se në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup do të krijohet një bankë për material riprodhues.

Ai shtoi se me ndryshimet e fundit, Fondi nuk do të ketë më dy drejtorë, siç ishte vendosur në vitin 2007, por një drejtor dhe një zëvendësdrejtor, me qëllim që përgjegjësia të jetë e përqendruar dhe e qartë.

Zëvendësdrejtori Branko Axhigogov njoftoi se për trajtimet jashtë vendit, Komisioni i dytë nuk do të jetë më kontrollues i vendimeve të Komisionit të parë për kërkesat – procedurat do të ndiqen nga Komisioni i parë, ndërsa Komisioni i dytë do të shqyrtojë vetëm ankesat.

“Menjëherë pas vendimit të Komisionit të parë do të mund të niset për trajtim jashtë vendit. Procedurat e ankesave nuk do të zgjidhen më nga Ministria e Shëndetësisë, por nga Komisioni Shtetëror, sepse Ministria nuk ka kapacitet të përgjigjet aq shpejt. Përgjigjet për ankesat vononin me muaj. Kjo vendim hyn në fuqi menjëherë dhe të gjitha procedurat do të transferohen nga Ministria në Komision”, tha Klekovski.

Drejtori i Fondit gjithashtu deklaroi se, sipas kërkesave të BE-së, ka filluar procesi i barazimit të të drejtave të shtetasve të huaj me qëndrim të rregulluar në vend që të përfitojnë nga sigurimi shëndetësor shtetëror. Hapi i radhës është ndryshimi i Ligjit për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.