Qeveria e RMV-së: Qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve fishing për kompensim dhe të mos i japin të dhënat personale

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton opinionin se nuk ka dërguar SMS dhe mesazhe të tjera që ofrojnë kompensim. Në rastin konkret të shfaqur në orët e kaluara bëhet fjalë për mashtrime fishing që janë raportuar dhe tashmë po veprohet nga shërbimet përkatëse, transmeton Portalb.mk.

“Përderisa qytetarët pranojnë ose kanë pranuar tashmë një mesazh (të paraqitura në fotografitë e mëposhtme) me përmbajtje të tillë apo të ngjashme, në të cilin dërguesi është shënuar Qeveria, duhet ta konsiderojnë atë si rrejshëm dhe të mos klikojnë në lidhjet e dhëna dhe as t’u përgjigjen mesazheve që kanë pranuar”, thonë nga Qeveria.

Qeveria u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mesazheve të rrejshme nga numrat e telefonit dhe emailet e huaja dhe të mos japin të dhëna personale.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për të dhënat e tyre personale, pra të mos i ndajnë dhe shkëmbejnë me persona të panjohur, si dhe me persona identiteti i të cilëve nuk mund të vërtetohet paraprakisht”, shtojnë nga Qeveria.

Kujtojmë se sipas  publikimit të botuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, format më të shpeshta të sulmeve fishing janë paralajmërimet e rreme nga bankat ose organizatat e tjera financiare në të cilat përdoruesit i kërkohet të japë të dhënat personale për të parandaluar mbylljen e llogarisë, ueb-faqet mashtruese që e bindin përdoruesin të paguajë një shumë të caktuar parash për të blerë një produkt me ç’rast kryhet një pagesë në një llogari të rreme, mesazhet e rreme nga një administrator në të cilat kërkohen të dhëna të ndryshme nga përdoruesi, si për shembull një fjalëkalim, ose njoftimet e ndryshme me të cilat mashtruesit përpiqen të zhvasin para për një bamirësi të rreme.