Qeveria e Kosovës shpalli terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”
Qeveria e Kosovës i ka shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe komponenen e saj “Brigada e Veriut”, që veprojnë në komunat veriore me shumicë serbe në territorin e Kosovës, transmeton Anadolu.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se këto organizata paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenta e saj ‘Brigada e Veriut’ paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti ka lexuar para kabinetit qeveritar disa nga arsyet se pse këto organizata duhet të shpallen terroriste, ku ka përmendur sulmet ndaj Policisë së Kosovës, Misionit të NATO-s (KFOR) dhe EULEX-it, sulme ndaj qytetarëve, thirrje për rezistencë dhe mosbindje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, zjarrëvënie të pronës publike dhe private, pengim i lëvizjes së lirë, detyrim i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta, vendosja e barrikadave, e të tjera.
– “Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbetet një ndër shqetësimet kryesore”
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke punuar për t’i identifikuar dhe reaguar kundër kërcënimeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Ai ka thënë se në këtë drejtim, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbetet një ndër shqetësimet kryesore që e kanë kërcënuar viteve të fundit Kosovën.
“Në kuadër të mandateve përkatëse në luftën e pakompromis të Kosovës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta të akteve dhe kërcënimeve terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe që me aktivitetin e tyre kriminal kanë cenuar rendin kushtetues, ndër vite janë toleruar dhe amnistuar për aktetet e tyre në vendin tonë”, theksoi Sveçla.
Tutje, ai tha se për më shumë se dy vjet, vendimet e ligjshme të Qeverisë së Kosovës janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme.
Sveçla tha se vendosja para drejtësisë të këtyre grupeve është sigurim i qetësisë e sigurisë për grupet që janë kërcënuar deri tash derisa shtoi se nga ky vendim nuk vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë amnistuar më herët.
– Propozimi u kundërshtua nga ministri serb për Komunitete dhe Kthim, Rashiq
Propozimi i Qeverisë para miratimit, u kundërshtua nga ministri serb për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kërkoi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos merren “vendime të ngutshme”, duke u bërë anëtari i vetëm që votoi kundër.
Pas fjalës së tij, ministri Sveçla tha se shpallja e këtyre organizatave si terroriste “është kruciale për qytetarët”.
Më 23 qershor, ministri Sveçla, duke paralajmëruar për shpalljen terroriste të këtyre organizatave ka thënë se Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës kanë arritur që ta shmangin një sulm të planifikuar terrorist ndaj Republikës së Kosovës ku u identifikua dhe konfiskua një automjet me targa të Beogradit rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, “përfshirë këtu zolla, osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”.