Protestat me 151 të vdekur, gjykata në Bangladesh anuloi shumicën e kuotave për vende pune që nxitën trazira

Gjykata Supreme e Bangladeshit ka anuluar të dielën shumicën e kuotave për vende të punës në institucione qeveritare, mirëpo nuk ka plotësuar tërësisht kërkesat e studentëve, të cilët kanë mbajtur protesta vdekjeprurëse në ditët e fundit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Autoritetet kanë raportuar se 151 persona kanë vdekur si pasojë e përleshjes së studentëve me forca të sigurisë.

Këto protesta kanë shënuar një prej trazirave më të rënda gjatë udhëheqësisë së kryeministres Sheikh Hasina.

Ushtarët janë duke patrulluar në gjithë Bangladeshin, pasi polica nuk ka arritur të mbajë rendin, ndërsa linjat e internetit dhe komunikimeve janë kufizuar ashpër prej të enjtes, duke izoluar këtë shtet me pjesën tjetër të botës.

Gjykata Supreme ishte planifikuar të merrte vendim për këtë rast përgjatë muajit gusht, mirëpo ka dalë me një vendim të dielën, për shkak të përshkallëzimit të dhunës.

Në verdikt është thënë se vendimi i marrë prej një gjykate tjetër, muajin e kaluar, për kuotat ka qenë “joligjor”.

Shah Monjurul Hoque, avokat i përfshirë në rast, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se gjykata u ka kërkuar studentëve të “kthehen nëpër klasa”, pas marrjes së vendimit.

Në vendim është zvogëluar kuota për vendet e rezervuara të punëve qeveritare, prej 56 për qind në shtatë për qind.

Pesë për qind e pozitave janë rezervuar për fëmijët e “luftëtarëve për liri” në luftën për çlirimin e Bangladeshit prej Pakistanit më 1971, në krahasim me 30 për qind, sa ka qenë me vendimin paraprak.

Një për qind e pozitave është ruajtur për komunitetet fisnore, dhe një për qind shtesë për personat me aftësi të kufizuara.

Gjykata ka thënë se pjesa tjetër e pozitave – 93 për qind – do të fitohen mbi baza meritore.

Studentët kanë kërkuar anulim të plotë të kuotave.